Munguan në protestën e UÇK, Berisha mohon veten: S’ka pasur urdhër për të mos marrë pjesë

Nga Anesti Barjamemaj
20 Tetor 2025, 15:21 | Politikë

“Vendimi për të mos marrë pjesë në protestë është një vendim politik i Partisë Demokratike. Ky është vendim politik i PD.”

Kjo deklaratë e Sali Berishës një ditë para mbajtjes së protestës në mbështetje të liderëve të UÇK-së që ndodhen prej 5 vitesh në Hagë është harruar nga vetë Sali Berisha.

Prania e disa deputetëve demokratë në protestë, duket se ka detyruar Berishën që të bëjë një hap pas dhe të mohojë vendimin politik.

Nga selia e Partisë Demokratike lideri demokrat pohoi se s’ka pas asnjë vendim apo urdhër për të mos marrë pjesë në tubimin e së premtes në Tiranë, shkruan A2 CNN.

“Së pari është trillim dhe shpifje ajo që thonë se ka pasur një urdhër. Nuk ka patur kategorikisht asnjë urdhër. Nuk ka patur asnjë urdhër për të marrë apo mos marrë pjesë në protestën e organizatës së UÇK-së. Nuk ka patur”.

Por, protesta për UÇK-në është problem më i vogël për opozitën. Nga Vlora vijnë edhe lajme të tjera për ndarjen e votimeve të së djathtës në zgjedhjet lokale. Pasi PD ka deklaruar se do të mbështesin kandidatin e pavarur, Dionis Sota, në garë ka hyrë edhe një tjetër demokrat. 

Gjergji Nika, këshilltar bashkiak ka deklaruar se do të garojë për të përfaqësuar të djathtët në Vlorë, por për Berishën kjo nuk përbën problem pasi ai nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike.

“Ne do mbështesim kandidatin që kemi deklaruar se do të mbështesim. Nuk kemi asnjë lidhje me atë kandidatin kallp. Edhe ai nuk ka thënë se, është kandidat i PD. Ai ka thënë jam i pavarur. I pavarur, tjetër problem”.

Zgjedhjet në Vlorë do të zhvillohen në 9 Nëntor, ku opozitarët shkojnë të përçarë përballë socialistëve që janë unifikuar me një kandidate grua. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos