
Kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka ka ngritur akuza ndaj liderit demokrat Sali Berisha në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, për kodin zgjedhor, por rezerva shprehu edhe për rikandidimin e kryedemokratit në zgjedhjet për kreun e PD-së. Gjatë debatit në studio, Ndoka theksoi se nuk ka garë në PD për sa kohë kandidon Sali Berisha. Sipas tij kjo ndodh për shkak të sistemit dypolar dhe mosfunksionimit të partisë.
“Lideri i opozitës nga ana tjetër thotë do të jem në garë, por hap garën për të tjerët. Çfarë gare hapet tek ajo parti kur është ai në garë ai. Ti mendon që mund të ketë ndonjë kandidat që të dalë përballë Berishës. Nuk kemi demokraci funksionale. Ne kemi liderë që vendosin veten, e emërojnë në krye të kupolës demokratike. Ne flasim për sistem dypolar me dy parti antidemokratike se nuk respektojnë votën e tyre”.
Në A2 CNN, Ndoka theksoi se “Shqipëria ka nevojë për alternativë përfaqësuese më shumë se një që vjen nga komunizmi dhe tjetra që është pjellë e saj që ka përgjegjësi politike për 30 vjet. Mos godasim pluralizmin, se nuk është problemi ynë personal”. (A2 Televizion)
