Ministria e Drejtësisë ka kërkuar fillimin e nisjes së hetimit disiplinor për prokuroren Elsa Gjeli, e cila u akuzua nga kryeministri Edi Rama se nuk ka nisur hetimet për ndërtimet pa leje në Theth. Kërkesa është referuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shkruan A2 CNN.
“Mendojmë që ky vendim mosfillimi bie ndesh me parimin e paligjshmërisë. Konkluzioni i prokurores se mungon fakti penal, pa kryer asnjë verifikim apo veprim hetimor, ka pamundësuar ushtrimin e funksioneve të prokurorit. Prokurorja në vendim e saj arsyeton se jo vetëm mungon fakti penal, por pa kryer asnjë hetim arsyeton edhe mungesën e anës subjektive të autorit të pretenduar të kësaj vepre penale. Ky arsyetim bie ndesh me jurisprudencës e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese”, tha ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
“Prokurorja ka marrë përsipër, pa kryer asnjë veprim, ka arritur në konkluzionin se mungon faji. Gjë e cila tregon nxitim, paaftësi profesionale dhe tendenca për të mos ushtruar ndjekjen penale dhe hetimin e këtij ndërtimi të paligjshëm në zemër të Thethit. Absurdi qëndron në faktin që prokurorja Elsa Gjeli, kur analizon kuadrin ligjor i referohet një ligji të shfuqizuar. Dihet publikisht që ligji për legalizimet është shfuqizuar. Ky është një precedent i rrezikshëm që i hap rrugë gjendjes së paligjshmërisë në territor”, shtoi Manja. (A2 Televizion)