Në qeli prej shkurtit, Erion Veliaj përballë Gjykatës Kushtetuese

Nga A2 CNN
31 Tetor 2025, 08:41 | Politikë

Në qeli prej shkurtit, Erion Veliaj përballë Gjykatës

Erion Veliaj do të lejë për disa orë paraburgimin në Durrës për të marrë pjesë në seancën e Gjykatës Kushtetuese ku do të shqyrtohet ankimimi i tij kundër qeverisë, e cila e shkarkoi nga posti i drejtimit të bashkisë së Tiranës.

Veliaj kishte shprehur vullnetin për të qenë i pranishëm në këtë seanca dhe për këtë arsye Gjykata kërkoi nga Drejtoria e Burgjeve dhe SPAK që të merrnin masa për shoqërimin e tij.

Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn më 25 shtator me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë. Më 1 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, por dekreti u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata Kushtetuese.

Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Bashkë me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndojnë 5 akuza  për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos