PD kërkon hetim për “Smart City”, Avokati i Popullit: Kërkesa është pranuar, faleminderit për besimin

Nga Anesti Barjamemaj
13 Gusht 2026, 14:46 | Politikë

Fakti që PD nuk e njeh si Avokat të Popullit Endri Shabanin, nuk e ka ndaluar selinë blu t’i drejtohet këtij institucioni për çështje që i konsideron të ndjeshme.

Në datën 22 Korrik, Sekretari për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, i ka dërguar këtë kërkesë për të verifikuar projektin “Smart City”, një iniciativë e qeverisë: “Kërkojmë nga Avokati i Popullit: inspektimin e Qendrës së Komandës; marrjen e kontratës dhe dokumentacionit teknik; dëgjimiin e institucioneve përgjegjëse; konsultimin me ekspertë të pavarur; publikimin e një raporti të posaçëm; rekomandimin e pezullimit të funksioneve biometrike dhe profilizuese dhe rekomandimin e miratimit të një kuadri të posaçëm ligjor”.

Kërkesa duket se është marrë parasysh nga Avokati i Popullit, i cili në përgjigje shprehet se ka nisur një hetim por po ashtu vlerëson, jo pa ironi, edhe besimin që opozita i jep institucionit: “Vlerësojmë në mënyrë të veçantë faktin që Partia Demokratike i drejtohet Avokatit të Popullit si garant i pavarur të të drejtave dhe lirive themelore. Në përgjigje të besimit të tek legjitimiteti dhe pavarësia e Avokatit të Popullit për të hetuar këtë këtë çështje, ju vë në dijeni sa më poshtë: Ankesa juaj është pranuar dhe kam vendosur nisjen e hetimit administrativ për shqetësimin e ngritur prej jush”.

A2CNN kontaktoi me Sekretarin për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Franci Nuri, i cili pohoi se pavarësisht këtij letërkëmbimi me Avokatin e Popullit, selia blu nuk ndryshon asnjë qëndrim sa i takon mosnjohjes së Shabanit si titullar.

Nuri sqaroi më tej se kërkesa për të hetuar “Smart Cityn” nuk i është drejtuar vetëm Avokatit të Popullit, por edhe institucioneve të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos