Përveç qeverisë dhe Partisë Socialiste, Kryeministri Rama ka marrë në dorë edhe frenat e Bashkisë së Tiranës. Në dy ditë takimesh me listën e deputetëve dhe kandidatëve, si dhe me administratën e bashkisë, A2 CNN mëson se Rama ka kërkuar që të gjithë të punojnë në terren, ndonëse ka përsëritur disa herë se nuk e di nëse, apo kur, kryeqytetasit do të thirren para kohe në kutitë e votimit, pasi sipas tij, ky vendim varet edhe nga elementë të tjerë. “Arsyet dihen dhe nuk dua t’i përsëris. Më kanë bërë të jem më pranë Tiranës”, tha Rama.
Pavarësisht nëse do të ketë zgjedhje apo jo në Tiranë, Rama ka urdhëruar të gjithë njerëzit e tij të dalin të takojnë qytetarët. Në këto takime, Kryeministri nuk e ka fshehur pakënaqësinë ndaj organizimit të punës në kryeqytet, duke e cilësuar Tiranën si “një trup me zorrët jashtë”. “Do të mbledhin shqetësimet”, tha kryeministri.
Për ta nxjerrë nga ky ngërç, Rama ka gjetur një skenar të miksuar të ndarjes së punëve mes ministrave, pushtetit vendor dhe listës së deputetëve dhe kandidatëve. A2 CNN ka mësuar se ndarja do të bëhet në katër blloqet kryesore, ku në krye do të jenë ministrat për të bërë analizën dhe për të sjellë propozime për zgjidhjen e tyre.
Ogerta Manastirliu dhe Arbjan Mazniku do të analizojnë aspektin administrativ dhe të burimeve në Bashkinë e Tiranës. Belinda Balluku dhe Anila Denaj do të fokusohen te shërbimet publike, ndërsa auditimin e financave do ta kryejnë ministrat Malaj dhe Ibrahimi. Blendi Gonxhja do të fotografojë situatën me hapësirat publike në kryeqytet. “Keni dy javë kohë të sillni analizën”, u tha kryeministri socialistëve.
Çlirimi i hapësirave publike nga zaptimi i paligjshëm do të jetë në fokusin e Kryeministrit edhe në bashki të tjera. Kreu i qeverisë i “kërcënoi” zaptuesit që, nëse nuk tërhiqen vullnetarisht, do të trajtohen si kriminelë.
Me dyer të mbyllura, Rama ua ka bërë të qartë deputetëve dhe kandidatëve se do të duhet të punojnë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që u morën votën më 11 maj. Këtë verë nuk duhet të pushojë askush. “Askush nuk duhet të flejë se kemi 83 mandate. Disa flenë”, tha Rama.
Në këtë 61-vjetor të ditëlindjes së tij, Rama njoftoi se takimet me strukturat vendore nuk do të ndalen vetëm në Vlorë dhe Tiranë, por do të vijojnë edhe në bashki të tjera, si Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Fieri. (A2 Televizion)