Shkarkimet e drejtorëve në Vlorë, Berisha: Kocka për qytetarët, Rama hesht për krimin mjedisor në Elbasan

Nga Anesti Barjamemaj
4 Korrik 2025, 15:05 | Politikë

Takimet e kreut të qeverisë që nisën nga Vlora ku kërkoi largimin e të gjithë drejtorëve vendorë, për Sali Berishën janë shkelje e Kushtetutës. Në një konferencë për mediat, lideri i opozitës theksoi se drejtorët e bashkive duhet të marrin urdhra vetëm nga titullari i insitutucionit e jo nga kryeministri. 

“Qëndrimet e tij janë dëshmi flagrante e asaj që ne e kemi denoncuar, jo vetëm ne, por edhe bota, të partisë-shtet në Shqipëri. Vetëm në një parti shtet ndodh që të asgjësohen kompetencat e qeverisë vendore”.

Shkarkimet në Vlorë i konsideron si koka turku, pasi shton se problemet e qytetit nuk zgjidhen me largimin e drejtorëve.

“Pasi ka dhunuar masivisht zgjedhjet në Vlorë, pasi ka katandisur në Vlorë , që nuk i ka patur kurrë të tilla, pasi mbush brigjet me ujëra të zeza, dhe djeg çdo 2 javë qindra tonelata plehra dhe çon helme tek qytetarët e Vlorës, u jep atyre si kocka disa drejtorë”.

Vizitën e papritur të kreut të ekzekutivit në Vlorë, e lidh me situatën mjedisore në Elbasan, ku sipas tij gjithçka është bërë për të shmangur debatin për këtë çështje. 

“Nuk flet një fjalë, hesht si fija e barit, për krimin e rëndë mjedisor. Se ajo që ndodh është një krim i rëndë mjedisor”.

Kërkon ndërhyrje nga SPAK për situatën në Elbasan, por hedh akuza ndaj kreut të kësaj strukture se po mbron qeverinë duke moshetuar. 

“Por, ka Altin Troplinin, për të cilin krimi nuk ekziston për Edi Ramën dhe drejtuesin e narkoshtetit”.

Kreu i opozitës para mediave këtë të premte nuk la pa denoncuar atë që e quan farsë zgjedhore, ku publikoi disa pamje të tjera nga një qendër votimi në Krujë, ku tha se është shkelur parimi i votës së fshehtë, pasi çdo qytetar është filmuar teksa ka votuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos