
Kuvendi i Shqipërisë ka nisur punimet këtë të enjte me kërkesën e opozitës për shkarkimin e kreut të Parlamentit, Niko Peleshi për shkelje të rënda.
Deputeti demokrat, Ivi Kaso, listoi përpara ligjvënësve të tjerë të gjitha rastet ku ai dhe 35 kolegët e tij mendojnë se Peleshi ka thyer Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Sipas Kasos, kryetari Peleshi në mënyrë të përsëritur dhe të qëllimshme ka tentuar të mbyllë zërin e opozitës dhe ka cenuar natyrën dhe funksionimin e Kuvendit.
“Kuvendi rrezikon të kthehet në një institucion formal, pa zë, autoritetet dhe dinjitet. Kjo po vjen nga mënyra si po drejtohet ky institucion nga Peleshi. Vetëm në 2 seanca, Peleshi ka bërë disa shkelje të rënda, të dokumentuara, të përsëritura dhe të qëllimshme të cilat nuk kanë pasur vetëm qëllim mbylljen e zërit të opozitës, por kanë cënuar natyrën dhe funksionimin e Kuvendit. Duhet të ndalim rrëshqitjen e Kuvendit, drejt një institucioni të heshtur dhe të zbrasur nga përmbajtja. Kërkojmë rikthimin e standardeve, kërkojmë të rifitojë rolin e tij si garant i pluralizimit. 36 deputetë të PD kanë paraqitur kërkesën për shkarkimin e Peleshit. Në këtë kërkesë janë të gjitha shkeljet e Peleshit, që shkelin Kushtetutën dhe Rregulloren, të mjaftueshme për shkarkimin e tij. Këshilli i Legjislacionit ka zhvilluar dy mbledhje për të shqyrtuar këtë kërkesë ku janë debatuar argumentet dhe shkaqet ligjore që motivuan këta deputetë për të kërkuar shkarkimin e kreut të Kuvendit. Në mbledhjen e tretë, unë dhe Gjiknuri kemi paraqitur raportet përkatëse”, tha mes të tjerash Kaso. (A2 Televizion)
 
                                           
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                   
 
						                    
						                    
						                   