Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN shprehu bindjen se zgjedhjet e pjesshme për katër bashki të vendit, do të zhvillohen në muajin gusht.
Sipas tij tre kryebashkiakët e rinj të Beratit, Burrelit e Tepelenës do të zgjidhen para shtatorit, pasi drejtuesit e tyre braktisën postin duke garuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
Sula po ashtu kritikoi demokratët, që sipas tij janë duke shijuar pushimet dhe drekat e darkat, në një kohë kur mazhoranca në pushtet po përgatitet për këtë proces zgjedhor.
“Ti ke tre bashki që do jenë në zgjedhje të parakohshme të pjesshme. Berat, Burrel dhe Tepelenë. Opozita do jetë me pushime. Opozita ka që më 11 maj flet vetëm Berisha dhe nja dy kokrra të tjerë. Të tjerët flenë gjumë, ikin bëjnë pushime dhe marrin rreze dielli. E kanë mendjen nëpër tavolina të bëjnë ndonjë drekë, ndonjë darkë, të bashkohet Flamuri me të tjerët... e të tjerët”, tha Sula.
I pyetur nëse ka informacion se zgjedhjet e pjesshme do të zhvillohen në muajin gusht, në të katër bashkitë, përfshirë edhe Tiranën, pasi kryebashkiaku i saj Erion Veliaj ndodhet pas hekurave, Sula tha: “Po, patjetër”.
“Zgjedhje të pjesshme, nuk kanë lidhje me Kodin këto”, konfirmoi edhe njëherë ai, pasi analisti Arion Sulo konstatoi se Kodi elektoral përcakton se zgjedhjet zhvillohen në vjeshtë dhe në pranverë. (A2 Televizion)