
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi qeverinë se nuk ka përmbushur detyrimin për të propozuar projektligjin për pagat e magjistratëve, duke e cilësuar situatën e krijuar "cenim të pavarësisë së sistemit gjyqësor".
Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Bardhi tha se nisma e dy deputetëve socialistë bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Cenim i pavarësisë së sistemit gjyqësor. Kemi dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve diçka të pavërtetë. Kemi dëgjuar Kryeministrin se kompetencën për të propozuar pagat e ka Këshilli i Ministrave dhe të drejtën për të miratuar pagat e ka Kuvendi i Shqipërisë. Dua të informoj se, sot që flasim Këshilli i Ministrave nuk e ka ushtruar detyrimin për të propozuar projektligj për pagat e magjistratëve. Nuk është detyrë e deputetëve të propozojnë pagat apo çështje që prekin buxhetin e shtetit në raport me një sistem tjetër. Këshilli i Ministrave do duhej të kishte përmbushur këtë përgjegjësi të tij në raport me pushtetin gjyqësor. Fondet buxhetore menaxhohen nga Këshilli i Ministrave", tha Bardhi.
"Ligji i propozuar nga dy deputetë socialistë është në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses. Nuk kanë aftësinë për të përllogaritur pagat, as kapacitetin për të interpretuar një vendim të Kushtetueses. Vendimi i Kushtetueses është i detyrueshëm për zbatim, prandaj duhej të bashkëvepronte Këshilli i Ministrave me Kuvendin. Sot që flasim, në njërën nga gjykatat e vendit administrata nuk po ofron shërbime për qytetarët. Sistemi gjyqësor futet në kolaps”, shtoi Bardhi. (A2 Televizion)
