
Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, vlerësoi se minoritet grek në Shqipëri, është hallkë lidhëse mes dy vendeve tona. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me Ministren e Jashtme Elisa Spiropali, Gerapetritis tha se Greqia mbështet rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE.
“Minoriteti grek është hallka lidhëse mes dy popujve. Rëndësi të veçantë kanë edhe emigrantët shqiptarët që kanë dëshmuar një shkallë të lakmueshme të integirmit në shoqërinë helene. Greqia qëndron konsekuente në pozicionimin e saj drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. E përshëndesim progresin e Shqipërisë që ka çuar në hapjen e kapitujve negociues të anëtarësimit”, tha ai, përcjell A2 CNN.
“I japim rëndësi të veçantë përmbushjes së të gjitha detyrimeve. Gjithashtu vlerësojmë kujdesin e veçantë për respektimin e plotë të të drejtave të minoritetit grek, që përbëjnë përparësi thelbësore për ne. Ramë dakord që ekzistojnë shanse të mëdha për zgjerimin sasior dhe cilësor të bashkëpunimit tonë shumëplanësh, veçanërisht në tregti, turizëm, energji, arsim dhe kulturë. Gjithashtu të kapërcejmë qasjet nacionaliste”. (A2 Televizion)