PD letër Kuvendit, kërkon pavlefshmërinë e seancës së sotme: Rama të shmangë provokimet

Nga A2 CNN
18 Shtator 2025, 19:58 | Politikë

PD letër Kuvendit, kërkon pavlefshmërinë e seancës

Partia Demokratike ka kërkuar pavlefshmërinë e seancës së sotme parlamentare pas prezantimi i ministres virtuale Diella për demokratët ishte në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe Rregulloren. Në letrën që kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi i dërgon Kuvendit të Shqipërisë, kërkohet anulimi i votimit të sotëm, rithirrja e seancës plenare me të njëjtin rend dite dhe shmangia e çdo lloj provokimi nga ana e kryeministrit.  

“Kërkojmë: Anullimin e votimit, rithirrjen e seancës plenare me të njëjtin Rend Dite, ku të ndiqet me përpikmëri procedura parlamentare e parashikuar nga neni 97 i Kushtetutës dhe neni 110 i Rregullores së Kuvendit. Shmangien e çdo lloj provokimi nga ana e Kryeministrit ndaj çdo deputeti të opozitës, duke ndjekur rregullat parlamentare të zhvillimit të seancës plenare dhe duke mos e shndërruar Kuvendin e Shqipërisë në një “teatër kukullash””, thuhet ndër të tjera në letrën e drejtuar Kuvendit.

Sipas demokratëve, procedura e ndjekur në seancë ka qenë në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, duke përjashtuar opozitën nga debati parlamentar dhe duke shmangur detyrimin kushtetues për paraqitjen e programit nga Kryeministri.

Letra e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike drejtuar Kuvendit:

Në mbështetje të nenit 97 të Kushtetutës dhe nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, me urdhër të Kryetarit të Kuvendit, më datë 18.09.2025, ora 10:00, ishte thirrur seanca plenare, me rend dite projektvendimin “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”. Në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, deputetët e opozitës ishin prezent në sallë, për të ushtruar detyrën e tyre kushtetuese dhe për të diskutuar mbi programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave.

Sipas nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, programi politik i Këshillit të Ministrave dhe përbërja e tij paraqiten në Kuvend nga Kryeministri. Kryetari i Kuvendit i dha fjalën Kryeministrit, i cili pas disa minutave diskutim, mori rolin e Kryetarit të Kuvendit, ndërpreu fjalën e tij dhe ia kaloi fjalën “Ministres virtuale Diella”, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe Rregulloren.

Ky veprim prej karagjozi dhe që cënoi rëndësinë kushtetuese të seancës plenare të datës 18.09.2025 u kundërshtua nga deputetët e opozitës, përmes një veprimi që nuk shkel etikën parlamentare dhe që është formë reagimi që përdoret në të gjitha Parlamentet e vendeve demokratike (rasti më i fundit në Parlamentin Europian, ku eurodeputetët pas refuzimit të kërkesës për një minutë heshtje përplasën duart mbi tavolinat e tyre të punës si formë demokratike reagimi). Fakti që Kryeministrin e kanë lëshuar nervat, është i lodhur dhe ndjehet i padenjë për të përballuar debatin parlamentar, nuk mund të nënkuptojë kurrë që ai mund t’i caktojë linjën e sjelljes deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, apo mund të vijë në seancë plenare dhe të sillet siç dëshiron në kundërshtim me Kushtetutën.

Salla e seancës plenare nuk mund të shndërrohet nga një Kryeministër karagjoz në një “teatër kukullash” dhe reagimi i opozitës ishte për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Kërcënimi i Kryeministrit që në nisje të fjalës së tij se deputetët e opozitës duhet të bëjnë apo sillen ashtu siç ai dëshiron, ose ndryshe Kryeministri nuk do të lejojë debatin parlamentar, është i papranueshëm dhe cënon rëndë rendin kushtetutes të një Republike Parlamentare.

Menjëherë pasi diskutimi i Kryeministrit ishte ndërprerë, jo nga ndërhyrjet e opozitës, por nga një video tallëse e një mesazhi virtual, Kryetari i Kuvendit, edhe pse fjala i ishte kaluar më parë Kryeministrit që duhet të vijonte me paraqitjen e programit politik, i kaloi fjalën Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, i cili pasi kërcënoi deputetët e opozitës me heqjen e të drejtës për të diskutuar, në përputhje me nenin 49, pika 1 të Rregullores së Kuvendit, kërkoi 5 minuta ndërprerje të seancës. Kërkesa ishte për çështje të procedurës, në zbatim të nenit 49, pika 1, ku thuhet se: “Për çështje të procedurës fjala jepet menjëherë. Janë çështje të procedurës ……., kërkesat për ndërprerjen ose shtyrjen e seancës plenare ose të diskutimeve…”.

Pas fjalës për procedurë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, sipas pikës 3 të nenit 49, ku thuhet shprehimisht: “3. Në këto raste, përveç propozuesit që diskuton jo më shumë se 3 minuta, kanë të drejtë të diskutojnë një folës pro dhe një folës kundër jo më shumë se 2 minuta secili dhe merret vendim me votim të hapur nga Kuvendi me ngritjen e dorës.”, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi kërkoi të diskutonte si folës kundër 2 minuta lidhur me propozimin e bërë. Në kundërshtim me pikën 3, të nenit 49 të Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit nuk ia dha fjalën dhe ndërpreu seancën pa respektuar kërkesat e kësaj dispozite, dhe në mbyllje të saj u shpreh publikisht se do e jepte fjalën për procedurë menjëherë me rinisjen e seancës. Kërkesa për procedurë ishte regjistruar në sistemin elektronik të Kuvendit të Shqipërisë.

Në rinisjen e seancës, me një skenar asgjësues për Kuvendin dhe të parapërgatitur për të mos lejuar debat parlamentar, në kundërshtim me pikat 1 dhe 3 të nenit 49 të Rregullores, në vend që t’i jepte fjalën menjëherë Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, ashtu siç Rregullorja e detyron, Kryetari i Kuvendit ia kaloi përsëri fjalën Kryeministrit Edi Rama. Për të kundërshtuar këtë mohim të të drejtës së fjalës sipas Rregullores të deputetëve të opozitës, ende pa e marrë fjalën Kryeministri, një pjesë e tyre u ngritën në këmbë, për të kërkuar respektimin e Rregullores dhe të drejtën e fjalës për procedurë, që sipas nenit 49, pika 1 e Rregullores jepet menjëherë.

Në vend që t’i jepte opozitës të drejtën e fjalës për procedurë, Kryetari i Kuvendit ia rikaloi fjalën për procedurë Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, një veprim që bie ndesh me nenin 49 të Rregullores, sepse i njëjti person nuk mund të marrë dy herë rresht fjalën për procedurë. Në shkelje flagrante të nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, propozoi që Kryeministri të mos bënte paraqitjen në Kuvend të programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave, deputetëve t’u hiqej e drejta e fjalës, e drejta për të bërë pyetje dhe të mos zhvillohej debat për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, duke urdhëruar kalimin direkt në votim.

Kryetari i Kuvendit, në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës dhe pikat 3 dhe 4, të nenit 110 të Rregullores së Kuvendit, ku specifikohet se: “3. Pas paraqitjes së programit politik, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë të paraqesë pyetje për Kryeministrin. 4. Pas përgjigjeve të pyetjeve, Kryetari i Kuvendit deklaron hapjen e debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Koha e debatit përcaktohet nga Konferenca e Kryetarëve, në përputhje me nenin 48 të kësaj Rregulloreje. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë Kryeministri jo më shumë se 10 minuta. Votimi nga Kuvendi i përbërjes dhe i programit politik të Këshillit të Ministrave bëhet sipas nenit 58 të kësaj Rregulloreje”, hapi procesin e votimit dhe hodhi në votim projektvendimin “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”.

Ky veprim i Kryetarit të Kuvendit, është në shkelje flagrante të procedurës parlamentare, të parashikuar nga neni 97 i Kushtetutës dhe 110 i Rregullores së Kuvendit, që përfshin:

1.            Paraqitjen e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave nga Kryeministri përpara procesit të votimit;

2.            Të drejtën e deputetëve për të bërë pyetje përpara procesit të votimit;

3.            Të drejtën për debat parlamentar, ku çdo deputet mund të diskutojë për 10 minuta, përpara procesit të votimit;

4.            Të drejtën e kryetarëve të grupeve parlamentare për të diskutuar në përfundim të debatit parlamentar;

5.            Të drejtën e deputetëve për të votuar vetëm pasi kanë ushtruar të drejtën për debat.

Për shkak të shkeljes së procedurës sa më sipër, votimi i kryer në seancën e datës 18.09.2025, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren, dhe për pasojë është i pavlefshëm.

Paraqitja e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave është një akt kushtetues, që nuk mund të ndryshohet apo shoqërohet me veprime propagandistike, videomesazhe virtuale, apo mesazhe tallëse për deputetët e opozitës. Refuzimi i Kryeministrit për të vijuar me paraqitjen e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave, është gjithashtu një akt jo kushtetutes, për shkak se paraqitja nuk është një akt vullneti i Kryeministrit, por një detyrim kushtetutes që buron nga neni 97 i Kushtetutës dhe neni 110 i Rregullores së Kuvendit.

Për sa më sipër, në përputhje me nenin 61 të Rregullores së Kuvendit, ku specifikohet se: “Çdo votim i kryer në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin ose Rregulloren e Kuvendit është i pavlefshëm”, kërkojmë:

1.            Anullimin e votimit.

2.            Rithirrjen e seancës plenare me të njëjtin Rend Dite, ku të ndiqet me përpikmëri procedura parlamentare e parashikuar nga neni 97 i Kushtetutës dhe neni 110 i Rregullores së Kuvendit.

3.            Shmangien e çdo lloj provokimi nga ana e Kryeministrit ndaj çdo deputeti të opozitës, duke ndjekur rregullat parlamentare të zhvillimit të seancës plenare dhe duke mos e shndërruar Kuvendin e Shqipërisë në një “teatër kukullash”.

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

KRYETARI

Gazment BARDHI

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos