“PD të dalë sa më shpejt me kandidatin e Tiranës” Teliti: Kemi kandidatura që përfaqësojnë të gjithë opozitën

Nga A2 CNN
15 Shtator 2025, 19:29 | Politikë

Pasi kryeministri Edi Rama i hapi rrugë në Asamblenë Socialiste zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës, për shkak se kryebashkiaku Erjon Veliaj ndodhet prej 7 muajsh ndodhet në qeli,  Partia Demokratike është nën ethet e përzgjedhjes së kandidatit të duhur për kryeqytetasit.

Në Ditarin e A2 CNN me Pandi Gjatën, nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti i cili prej muajsh ka kërkuar shkarkimin e Veliajt, tha se Partia Demokratike nuk duhet të humbasë asnjë minutë kohë, por të dalë sa më shpejt me kandidatin për kryebashkiak, edhe pse ende nuk ka një njoftim për mbledhjen e Këshillit bashkiak për këtë çështje.

“Duke qenë se janë zgjedhje të parakohshme koha për primare nuk premton. Për mua nuk duhet humbur asnjë minutë kohë, duhet të dalim sa më shpejt me kandidatin. Për të dalë në terren me qytetarët një orë e më parë. Duhet të jemi te qytetarët me ekipin, programin e vizionin për t’i bindur ata pse ne jemi alternativa më e mirë. Kjo ka vlerë nëse do jemi subjekt i zgjedhjeve normale” tha Teliti.

Ai pranoi në A2 CNN se Partia Demokratike ka shumë emra potencialë që përfaqësojnë jo vetëm PD-në por të gjithë opozitën. Në këto kushte, Teliti thekson se edhe vendimmarrja e lidershipit e strukturave do të jetë e vështirë, sepse nuk ka kohë për primare.

“Do jetë vendim i lidershipit të PD-së. Do jetë i vendim i vështirë, sepse ka me dhjetëra emra që janë dinjitozë për të përfaqësuar PD dhe gjithë opozitën në këtë garë. Kemi kandidatura të shkëlqyera jo vetëm për të përfaqësuar, por për të fituar garën e Tiranës. Kryesia do jetë në vështirësi për të zgjedhur se ju siguroj që emrat janë njëri më i mirë se tjetri. Për atë që do të marrë besimin duhet të presim  Në ditët në vijim strukturat drejtuese nga lidershipi e kryesia të japin vendimmarrjen përkatëse se kush do të jetë ai apo ajo që do të përfaqësojë opozitën në këtë garë elektorale pjesore për Bashkinë e Tiranës”, tha Teliti në A2 CNN, i cili thekson se do ishte në nderin e Veliajt të jepte dorëheqjen dhe jo të shkarkohej.

“Nuk e kuptoj pse është kjo vonesë. Një orë e më parë të mbledhim Këshillin Bashkiak të bëjmë shkarkimin dhe t’i drejtohemi Këshillit të Ministrave të hapet vakanca dhe KQZ të njoftojë presidentin për të dekretuar datën e zgjedhjeve”.

Por ai përsërit se “nëse nga pala tjetër shohim një deja vu të 11 majit ku do hidhen para droge e krimi atëherë nuk do të jenë zgjedhje por përsëritje e farsës elektorale. Ne duam garë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos