
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, deklaroi pas takimit me delegacionin evropian të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, se u diskutua për raportin e ODIHR në lidhje me zgjedhjet e 11 majit.
Bardhi shtoi se eurodeputetët u informuan për ato që i quajti "tentativa të maxhorancës për të zhbërë parlamentarizmin".
Njoftimi i plotë i kreut të grupit parlamentar:
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, së bashku me deputetët Jorida Tabaku, Belind Këlliçi, Tomorr Alizoti dhe Elda Hoti, zhvilluan një takim me delegacionin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim–Asociimit BE–Shqipëri, të kryesuar nga eurodeputeti Marco Tarquinio.
Gjatë takimit, biseda u përqendrua në kriteret që duhet të përmbushë Shqipëria në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Deputetët e Partisë Demokratike vlerësuan rëndësinë e këtij procesi dhe theksuan se rruga drejt BE-së duhet të mbështetet në përmbushjen e reformave dhe forcimin e institucioneve demokratike, jo në vendime politike të motivuara nga arsye gjeopolitike. Bashkëpunimi qeveritar me krimin e organizuar dhe përfshirja e tij në qeverisje dhe zgjedhje, ndikon në ecurinë e Shqipërisë në BE.
Përfaqësuesit e opozitës njohën eurodeputetët me gjetjet e raporti të OSBE–ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, ku theksuan se ishte konfirmim i shqetësimeve të ngritura prej kohësh nga Partia Demokratike. Deputetët demokratë theksuan se raporti vërteton se më 11 maj nuk pati zgjedhje të lira e të ndershme, por një farsë elektorale, ku opozita u përball me një parti-shtet.
Ata nënvizuan se raporti i OSBE–ODIHR evidenton probleme serioze që lidhen me përdorimin e administratës publike në funksion të fushatës elektorale, shantazhimin e votuesve, përdorimin e krimit të organizuar dhe blerjen e votës, çka cenon rëndë standardet demokratike të procesit zgjedhor.
Gjithashtu rezultatet e Task-Forcës së SPAK ishte një zhgënjim dhe se u përdorin si alibi nga Edi Rama apo për të goditur kundërshtarët e tij në zgjedhje.
Deputetët demokratë informuan zyrtarët europianë edhe për tentativat e mazhorancës për të zhbërë parlamentarizmin në vend, duke përfshirë refuzimin e komisioneve hetimore parlamentare, pengimin e interpelancave dhe mocioneve me debat, si dhe shkeljen e rregullores së Kuvendit, në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe demokratike.
Në përfundim, përfaqësuesit e Partisë Demokratike rikonfirmuan qendrimin e palëkundur se PD mbetet forca politike më e angazhuar për integrimin europian të Shqipërisë dhe se do të vijojë të punojë për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë, si kusht thelbësor për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.”, tha Bardhi. (A2 Televizion)
