Kryeministri malazez denoncoi aktivitete hibride për destabilizimin e vendit të tij nga dy shtete të rajonit, të cilat, sipas burimeve mediatike, janë Shqipëria dhe Serbia. Podgorica thirri një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë, ndërsa Partia Demokratike në Tiranë i kërkon shpjegime qeverisë Rama.
“Shqipëria dhe Serbia kërcënojnë Malin e Zi” Spajiç akuzon për aktivitete hibride, Bardhi: Të sqarohet përfshirja
Një akuzë e fortë e kryeministrit malazez, Milojko Spajiç, ka ndezur reagime në të gjithë rajonin. Përmes një postimi në rrjetin social X, Spajiç ngriti alarmin për informacione serioze mbi veprimtari të koordinuara hibride për destabilizimin e Malit të Zi, në një moment kyç të rrugës së vendit drejt Bashkimit Evropian.
Spajiç iu referua zyrtarëve nga dy shtete të rajonit, pa përmendur se për cilat vende bëhet fjalë. Por media malazeze “Vijesti”, duke iu referuar disa burimeve, raportoi se bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Serbinë.
“Ne kemi informacione serioze operative të sigurisë se mbyllja e kapitujve të rinj të negociatave do të shoqërohet me veprime hibride të koordinuara, që përfshijnë zyrtarë nga të paktën dy shtete të rajonit.
Sipas njohurive tona, aktivitete të tilla synojnë të destabilizojnë Malin e Zi, me mbështetjen e pritur të aktorëve të caktuar politikë dhe një pjese të skenës mediatike në vendin tonë”, deklaroi Milojko Spajiç.
Spajiç shtoi më tej se përpjekjet për destabilizim nuk do ta ndryshojnë kursin e vendit dhe as nuk do ta ndalojnë rrugën evropiane të Malit të Zi.
Pas deklaratës së kryeministrit, presidenti Jakov Milatoviç ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë për të hënën, më 31 gusht.
Siç u njoftua nga kabineti i tij, kreu i shtetit malazez do të ftojë drejtuesit e sektorit të sigurisë në këtë seancë, të cilëve do t’u kërkojë informacion të saktë mbi të gjitha dyshimet e ngritura.
Lidhur me deklaratën ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai tha se dëshiron të besojë që raportimet nuk janë të sakta, ndërsa kërkoi që qeveria shqiptare të japë sa më shpejt një përgjigje zyrtare dhe të qartë lidhur me këto pretendime. (A2 Televizion)