Pezullimi i zgjedhjeve në Tiranë, Berisha: Begaj të shkarkohet, nuk ka integritet të dorëhiqet

Nga A2 CNN
9 Tetor 2025, 19:09 | Politikë

Pezullimi i zgjedhjeve në Tiranë nga Gjykata Kushtetuese për demokratët është një vendim për t’u përshëndetur. Për Sali Berishën trupa kushtetuese në këtë rast i shërbeu vendit dhe rendit kushtetues. 

“Përshëndes vendimin unanim të gjykatësve, të cilët mbrojtën Kushtetetutën dhe kushtetueshmërinë nga armiqtë e tyre, për të mos thënë një fjalë tjetër, që edhe mund të mos e them nga horrat e shtetit”, tha Berisha.

Sipas Berishës, kreu i shtetit pas këtij vendimi nuk duhet të qëndrojë më në zyrë. 

“Ne kemi paraqitur për impechment. Begaj është i padenjë, jo për postin e presidentit, por me dosjet që i rëndojnë është skllav i veprave të tij, i akteve të tij kriminale, në plaçkitjen e pronave të Ushtrisë me Edi Ramën. Prandaj dhe ai i lejoi vetes të firmosë një vendim që kurrë nuk mund ta firmoste”, shtoi Berisha.

Por i pyetur nëse shpreson se Begaj do të reflektojë vetë pasi Kushtetuesja foli, Berisha dha këtë përgjigje.

“Po ku ka integritet për dorëheqjen. Ai duhet shkarkuar”, deklaroi kreu i PD.

Pavarësisht vendimit të trupës më të lartë, kreu i Partisë Demokratike pohoi se përgatitjet për zgjedhjet në Tiranë do të vijojnë dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin Florian Binajn.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos