Atird Hoxha, kreu i PD-së së Vlorës, në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, deklaroi se procesi i sotëm zgjedhor në Vlorë “nuk kënaq ndonjë nga palët” dhe shtoi se “edhe opozita duhet të reflektojë”.ë
“Kjo pjesëmarrje e ulët tregon një refuzim të qytetarëve për të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor. Absolutisht që pjesa kryesore i takon mazhorancës dhe Partisë Socialiste, sepse ashtu siç të gjithë janë në dijeni, qyteti i Vlorës është keqtrajtuar dhe keqmenaxhuar në të njëjtën kohë. Kështu që, mendoj se ky është një është një moment në të cilin do duhet të reflektojmë të gjitha forcat politike. Edhe ne si opozitë patjetër që do duhet të reflektojmë, por jam i mendimit që refuzimi, po themi kryesor është ai i Partisë Socialiste, e cila në qytetin e Vlorës shpesh është shfaqur edhe me shifra të frikshme në përqindje dhe në pjesëmarrje në favor të saj, por kësaj here, po të bësh një kalkulim me zgjedhjet e fundit vendore, ato të vitit 2023, praktikisht janë gjysma e zgjedhësve që kanë shkuar për të votuar”, tha Hoxha.
“Nëqoftëse në vitin 2023 kanë shkuar rreth 41 000 votues në kutitë e votimit, në këtë përqindje 12.5%, janë rreth 21 000 apo 22 000 zgjedhës që kanë shkuar për të për të shprehur vullnetin”, shtoi Atird Hoxha. (A2 Televizion)
