Brunilda Mersini, kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Vlorës, në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe në A2CNN, shpjegoi arsyet se pse, sipas saj, pjesëmarrja në votime në Vlorë ishte vetëm 12%.
“Një proces i qetë. Ne jemi duke ndjekur akoma azhornimin që KQZ-ja është duke bërë dhe akoma nuk ka një rezultat përfundimtar. Në informacionin paraprak që KQZ-ja ka lançuar nuk janë të gjitha qendrat e votimit të hedhura në sistem. Jemi duke pritur rezultatin përfundimtar për të dalë në një përfundim”, tha fillimisht Mersini.
“Realisht, KQZ-ja ka gati nga 231 qendra votimi ka të azhornuar 190 qendra votimi me informacion. Kështu që, ky trend akoma nuk është i qartë se si do të shkojë pjesëmarrja, por është një pjesëmarrje deri diku ku ne kishim kalkuluar, njerëz që bëjnë fushata elektorale për shumë arsye në qytet. Ju e dini që kjo qenë një fushatë atipike, pra ndryshe nga bashkitë e tjera ku kandidatët ishin tërhequr prej gjashtë muajsh sepse kishin fituar mandatin e deputetit. Në bashki zgjedhjet u lançuan vetëm një muaj përpara dhe fushata zyrtare ishte vetëm një javë në Vlorë. Dhe e dyta, kini parasysh që anëtarët e Këshillit Bashkiak nuk ishin në garë politike, një forcë politike prej anëtarësh të cilët tërheqin vota në qytet. Edhe kjo është një arsye e dytë. Pa diskutim, shiu ka qenë intensiv. Deri diku, disa rrugë u bënë dhe të pakalueshme nga intensiteti i shiut dhe ajo që unë në opinionin tim të parë nga çfarë ka lançuar KQZ-ja, një fashë moshe 18 dhe 24 vjeç e painteresuar, por është një fashë e njerëzve që janë larguar nga qyteti për arsye studimi. Edhe kuptohet që në këto kushte atmosferike nuk kanë qenë të interesuar të linin punën apo jetën e tyre në Tiranë sot për votimin”, shtoi Mersini.
(A2 Televizion)
