Rama e Berisha në garë për algoritmin. Kush do e fitojë betejën online?

Nga Indrit Maraku
4 Shtator 2026, 21:08 | Politikë

“Me befasinë e ngjashme me atë një aksidenti fatal që të ndodh sa hap e mbyll sytë, miliona njerëz që nuk dinë as ku ndodhet Zvërceni, dinin saktësisht se çfarë duhet të mendonin për Zvërnecin”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Aksidenti fatal, siç krahasimisht e quan Kryeministri, ishte një incident në Zvërnec ku disa protestues u përplasën fizikisht me rojet e një investimi privat, që përfshin vajzën dhe dhëndrin e Presidentit Trump, me tokën rrethuar në një zonë që gëzon statusin e peizazhit të mbrojtur.

“Jemi për të vajtur në tokat tona. Zvërnec”, tha një protestues.

Kryeministri Edi Rama: Zvërneci dha videon revoltuese, flamingo dha simbolin magjepsës, hija e vjehrrit më të famshëm në botë dha magnetin global dhe algoritmi i yshtur edhe nga ustallarë të ndërhyrjes në punët e vendeve të tjera, bëri pjesën tjetër. Me një shkrepëse të ndezur pranë pyllit me pisha në Nartë, shpërndau brenda pak orësh një zjarr marramëndës anembanë botës. Ama pranë, shkaku i hendekut ishim ne dhe zemra e protestës ishin njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

Algoritmi, për mirë apo për keq, u kthye në kryefjalën e komunikimit politik të verës 2026.

Rama: Algoritmi nuk shpërblen qetësinë, e varros. Sepse qetësia është armik i algorimit, algoritmi nuk shpërblen nuancat, i fsheh, sepse nuancat janë kundërshtare të algorimit.

Për vite me rradhë, të majtët kishin krijuar idenë se përdornin me aftësi rrjetet sociale dhe komunikimin online. Për herë të parë, të njëjtat mjete iu kthyen kundër.

A mund të manipulohet algoritmi?

-Jo, nuk manipulohet. Vetëm Kryeministri nuk duhet ta thotë këtë gjë sepse gjithë kohës e ka bërë këtë gjë me aplikacionet, me account-tet, me “patronazhistët” që çfarë kanë bërë? Kanë bërë share video të tij që i janë imponuar nga grupe të caktuara dhe në një farë mënyrë ai atë ka tentuar të bëjë, të manipulojë algoritmin?, u shpreh Tomi Kallanxhi, ekspert IT

Zylyftar Bregu, pedagog i gazetarisë: Protesta zbuloi që media online, media qytetare, e sfidoi median tradicionale dhe në këtë pikë, në median online, kryeministri kishte mangësi të mëdha. Pavarësisht se ne e mbanim si një kampion të ligjërimit të komunikimit. 

Artan Fuga, pedagog, akademik: Veç rasteve ku mund te ketë deepfake neës, pra kur në rrjete sociale mund të qarkullojnë video që janë prodhuar në mënyrë të gënjeshtër, rrjetet sociale nuk munden dot të krijojnë një ngjarje. Nuk mundet dot rrjeti social të prodhojë një manifestues, n.q.s. manifestuesit nuk duan të dalin në rrjetet sociale.

Në sheshin e betejës, përballë zyrës së tij, Edi Rama zbuloi rivalë të rinj që nuk i kishte hasur më parë. Vajza bukuroshe e të rinj që deri në atë moment ishim mësuar t’i shihnim pjesë të ekraneve të shoëbiz-it.

Rama: Kush mendon se me like dhe folloëers bën politikë, ose bën vetëm politikë, bën gabim. [...] Frikësimi prodhon klikime, klikimet prodhojnë kohë dhe koha prodhon para. Për herë të parë në histori, ekonomia e vëmendjes është bërë ekonomi politike, sa më shumë zemërim aq më shumë shikueshmëri, ndikim, pushtet, mbi skllevërit e algoritmeve.

Zylyftar Bregu: Ekonomia e vëmendjes është një togfjalësh, një koncept që njihet në Shkencat e Komunikimit dhe lidhet me kohën që audienca shpenzon për të konsumuar produktet online. Kryeministri, duke përdorur konceptet e shkencës së komunikimit, do që të shpëtojë ose të rigjenerojë, difektet e qeverisjes së vet, duke ja atribuuar perceptimit të opinionit publik shqiptar defektet e qeverisjes dhe jo fakteve që ai thotë se janë aty.

Artan Fuga: Vetë Kryeministri është një influencues.Rrjetet sociale e kane transformuar rrënjësisht mënyrën sesi komunikohet... komunikimi masiv, raporti me gazetarin dhe audiencën. {...] Influencuesit jo vetëm në modë, në shoëbiz, por edhe në jetën sociale edhe në politikë, influencuesit tani janë tjetër nga ata që gazetarët apo propagandistët e dikurshëm. Edhe vajza të shoëbizit është normale... edhe si qytetare, ato nuk janë qytetare të dorës së dytë... dhe propaganda politike sot nuk bëhet me anë të fushatave tradicionale elektorale. Ka mbaruar kjo.

Sheshin e protestës Kryeministri e sheh si një studio televizive që ushqen atë që ai e quan lukunia e algoritmit, me të cilin ndan llogore të kundërta të vijës së konfliktit.

Rama: Kjo është beteja e kohë sonë, s’ka lidhje më me të majtën dhe të djathtën, me qeverinë dhe me opozitën, por ka lidhje me konfliktin e hapur mes politikes në shërbim te njerëzve, të vendit, të punës për vendin dhe algoritmit. Politiken ne shërbim te njerëzve, politikën në shërbim të vendit, algorimti e urren.

Artan Fuga: Më duket sikur është një luftë me mullinjtë e erës. [...] Sigurisht arena sociale sot në Shqipëri janë rrjetet sociale.

Zylyftar Bregu: Protesta ishte një aksion politik që u organizua vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale, madje jo vetëm u organizua por mbijetoi nëpërmjet rrjeteve sociale. Madje imponoi edhe median tradicionale që të fuste në axhendën e saj të përditshme protestën.

Artan Fuga: Këtu vijmë te problemi a është algoritmi kundë politikës apo jo. Nuk mund të jetë, sepse në këtë algoritëm qarkullon një shpirt protestues i cili edhe ai është pjesë e politikës.

Zylyftar Bregu: Fuqia e rrjeteve sociale ishte aq e madhe sa në njëfarë mënyre e mundi median tradicionale dhe rrjedhimisht edhe komunikimin e Kryeministrit.

Artan Fuga: Teoritë mbi shpirtin kolektiv të masave janë prej 100 vjetësh, nuk ka këtu absolutisht asgjë të re. Këtu ka vetëm një element, që problemin social politik ta kthesh në një problem teknologjik, i cili në fakt nuk ekziston.

Çfarë duket mëse normale për ekspertët e komunikimit, përcillet si ndryshim epokal nga protagonistët e politikës, me këta të fundit që nuk e fshehin një tonalitet përçmimi.

Rama: Nëse shekulli i 19 prodhoi proletariatin industrial, shekulli i 20 prodhoi shoqërinë e mas medias, shekulli i 21 po prodhon proletariatin e algoritmit. Një klase e re qe nuk e bashkon puna, e bashkon vëmendja, nuk e bashkon fabrika por ekrani i celularit, nuk e bashkon prodhimi por shija e vetes dhe të jetës në ekran. Dhe mbi të gjitha e bashkon një iluzion shumë i madh, që sa më shumë të dukesh aq më shumë autoritet ke. 

Zylyftar Bregu: Mendoj që qëndron, por nuk është e plotë. Algoritmet dhe rrjetet sociale janë deri tani – se mund të kthehen dhe po kthehen edhe në fabrika të prodhimit të informacionit – por deri tani përpunojnë atë informacion që hedhin burimet: qeveria, gazetarët, etj. Kam bindjen që rrjetet janë ende kanal komunikimi.

Artan Fuga: Dihet që rrjetet sociale fuqizojnë individin ashtu sic është, me mjete të kufizuara komunikimi. Dhe e bën këtë njeri të thjeshtë t ë ketë po atë fuqi që ka edhe shteti në komunikim. Ky është një hap jashtëzakonisht i madh që ka bërë qytetërimi njerëzor. Të ankohesh për këtë, jo vetëm hyn në rrugën e përbuzjes së teknikës, por manifeston dhe një lloj mosdashje apo një lloj neveritje të qytetarit i cili tani del në hapësirën publike i fuqizuar. Sigurisht, del me të mirat e veta, me fuqinë e vet, por del edhe me paragjykimet e veta, me aprioritë e veta, ndofta me iluzionet e veta, me gabimet e veta.

Një mori siglash pasuan reflektimin veror të Kryeministrit. Besa, Prania Besnike, Pasqyrë Albania dhe së fundmi Flamingo Mirror.

Rama: Rilindja 2.0 është emri që ne i vumë ciklit të ri politik. Besa është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët e Shqipërisë.

Zylyftar Bregu: Eshtë një përpjekje e Qeverisë për të fituar betejën online. Qeveria nuk duhet të synojë të fitojë betejën online duhet të qeverisë. Pastaj, nëse qeveris dhe qeveris mirë, betejën online e ka të fituar. Jo vetëm atë online, por betejën me qytetarin shqiptar. Më duken si truke në vazhdën e stilit të Kryeministrit për të kapur sërisht vendin e kampionit të komunikimit.

Artan Fuga: S’ka nevojë të shpiken terma të rinj, terma mbi të gjitha metaforikë... pasqyra, besa, lejleku, flamingo... sepse në gjuhën politike civilizuar, flitet me një gjurmë normative që e ka krijuar njerëzimi.

Në krahun tjetër të politikës, thirrjet e herëpashershme të Sali Berishës që përpiqet të nxisë të vetët në përdorimin e rrjeteve sociale, nuk duket se kanë gjetur veshin e duhur.

Sali Berisha: Nuk pranohet më letargji në radhët tona. [...] Partia aktualisht nuk funksionon si një sistem operativ i integruar. Flukset e komunikimit janë të fragmentuara, përgjegjësitë nuk zbatohen në mënyrë të qëndrueshme. Mjetet joformale të komunikimit kanë zëvendësuar gradualisht kanalet formale dhe duke bërë këtë, kanë sjellë shpejtësi pa kontroll dhe akses pa qartësi. [...] Nuk mund të thuash ç'më duhet mua TikToku”.

Kryedemokrati po ndryshon taktikë, duke paralajmëruar kontrolle.

Sali Berisha: Përdorimi i rrjeteve sociale do të kontrollohet, përdorni apo s’përdorni. Është detyrim. Për atë që drejton dhe atë që ka një post, ai është detyrim. Përndryshe... të rri i heshtur. Pra do të kalojmë në këtë... ne jemi në një betejë të vështirë. Ne duhet të përdorim cdo mjet legjitim.

Zylyftar Bregu: Strukturave të PD, anëtarësisë, nuk u mungon komunikimi, por u mungon optimizmi për të fituar përballë Edi Ramës. Nëse PD nuk ka optimizëm, nuk ka shpresë se do ta mundë Edi Ramën, çfarëdo kanali komunikimi të përdorë kanali komunikimi të përdorë, mesazhi do të humbasë dhe nuk do të jetë i qartë, as për anëtarët e PD as

Fitim Zekthi, gazetar, analist: Eshtë një përpjekje e PD për të mbajtur më gajret mbështetësit dhe shqiptarët për t’u treguar atyre ne e kuptojmë shqetësimin, e kuptojmë sfidën e kohës, e kuptojmë që komunikimi është i rëndësishëm, ne e kuptojmë që duhet të komunikojmë idetë tona, ne e kuptojmë që nuk jemi aq mirë sa duhet për shkak se komunikimi nuk është aq mirë. Thelbi është tjetër gjë. Thelbi është se PD është keq jo për shkak të komunikimit. PD është keq sepse nuk është një instrument i shoqërisë për të ndryshuar qeverisjen, është një instrument i një grupi njerëzish për interesin e këtij grupi njerëzish. 

Artan Fuga: Nëse PD do të mendojë që vlerësimin e deputetëve të vet apo drejtuesve do ta bëjë nga Like-t apo nga komunikimi virtual, duke u larguar nga kontakti fizik, segment pas segmenti, nga ato që quhen audienca niche (të vogla), nga komunikimi i përditshëm me qytetarin në terren atje ku ndodhet, ka bërë një gabim fatal. Ka ikur nga realiteti dhe është mbyllur në ekranin e telefonit.

Sali Berisha: Të shkarkoni të gjitha AI-t. T’i keni në celular. ChatGPT, Claude dhe Gemini. Kanë një saktësi që rritet gjithnjë e më shumë. 

Kjo thirrje e Sali Berishës i drejtohej kryetarëve të degëve të Partisë Demokratike, por është bërë fakt nga Departamenti për Teknologjinë dhe Inteligjencën Artificiale, që po krijon një aplikacion të posaçëm.

Denisa Kele, drejtuese e Departamentit IT & AI: Është një platformë e cila do të thjeshtësojë komunikimin e brendshëm të PD, komunikimi i brendshëm me anëtarin në mënyrë që vendimmarrja të vijë në një mënyrë më të shpejtë. Është një platformë e cila do të përdoret për unifikimin e mesazheve që vijnë nga brenda PD.

Sali Berisha: Ky sistem do të ofrojë strukturën përmes së cilës vendimet përkthehen në mesazhe, mesazhet në veprime të koordinuara dhe veprimet në rezultate të matshme. Tani edhe kjo shprehja këtu domethënë 'rezultate të matshme', kjo kërkon që secili nga ne të matet për rezultatin.

Përmes një sistemi pikëzimi, do të matet angazhimi dhe meritokracia në parti.

Denisa Kele: Përdorimi i AI do të na ndihmojë në këtë pjesë, duke bërë përllogaritjen e datave të mëdha që do të gjenden në aplikacion sipas dateline dhe pikëzimeve të përcaktuara për të kuptuar aktivitetin e secilit prej anëtarëve. Në këtë proces do të na ndihmojë që të kuptojmë të gjithë mënyrën këta anëtarë do të punojnë dhe do ta reflektojnë këtë punë në aplikacion. Do të jetë e thjesht për të kuptuar dhe për të pasur meritokraci në PD.

Zylyftar Bregu: Nga përfoja e PD që ju e njihni shumë më mirë, koncepti i meritokracisë nuk është se respektohet shumë, siç ishte gara e fundit e brendshme e PD për deputetët. Edhe kjo është një koncept që më së shumti i shërben kryetarit sesa anëtarësisë së PD dhe qëllimit kryesor që ka një parti politike për të marrë pushtetin.

Denisa Kele: Duam që brenda PD ne të krijojmë një koncept të meritokracisë, të anëtarëve të saj por edhe të strukturave bazë. Praktikisht do të krijohet një kalendar eventesh që do t’i përkasi çdo departamenti, çdo anëtari të PD dhe anëtar, çdo deputet do ketë të mundur të regjistrojë aktivitetet e tij, me foto me përshkrime dhe nëpërmjet inteligjencës artificiale ne mund të shikojmë si janë kryer ato dhe a është mbajtur përgjegjshmëria nga gjithsecili.

Fitim Zekthi: E vërteta është që nuk është anëtari. E vërteta është që është kryetari dhe lidershipi i PD në qendër të partisë – dhe interesi i tyre, jo interesi i anëtarëve apo i shoqërisë. Një parti nuk mund të ketë në qendër anëtarin. Një parti ka në qendër idenë e duhur dhe njerëzit që artikulojnë idenë e duhur. Anëtari përkrah këtë ide.

Denisa Kele: Kjo do të bëjë të mundur që brenda Partisë Demokratike të krijohet në këtë lloj forme edhe një lloj meritokracie dhe për të kuptuar se kush do të jenë ndoshta... kush janë ata që realisht e kryejnë, apo janë aktivë në dhënien e mesazhit politik për publikun.

Artan Fuga: Në marketingun politik dihet që matja e rezultatit përfundimtar nuk janë pikët që merr, janë votat. Nëse sistemi i pikëzimit është sistemi që do të tregojë meritokracinë, që këtu është një dështim. Sepse mund të marrësh pikë në komunikimin virtual, por mund të mos marrësh vota. Nuk janë të barabarta këto.

Online apo përmes platformave tradicionale, mediat kanë qenë janë vetëm kanali i komunikimit, ku shpesh politika shfryn për të fshehur kusuret e veta.

Zylyftar Bregu: Politika e ka problemin te produkti, që e përkthyer në konceptet e komunikimit, te mesazhi. Nuk e ka problemin te kanali i komunikimit. Në kanal varet se çfarë hedh. Nëse do të hedhësh produkt, kanali do të transmetojë produkt, nëse do të hedhësh prapagandë, kanali nuk e rregullon propagandën.

Artan Fuga: Përqindja dërrmuese e minutazhit të informacionit në mediat konvencionale i kushtohet politikës. Pra, hapësira është e jashtëzakonshme, është dominuese. Në dëm të kulturës, në dëm të sportit, në dëm të librit, të ekonomisë, në dëm të çështjeve sociale. E dyta, sigurisht ka pakënaqësi ndaj rrjeteve sociale por edhe kjo është e kuptueshme. Sepse për herë të parë njerëzi arrin t’i japi të njëjtat mjete komunikimi individit dhe të pushtetshmëve në politikë. Kjo është për mua epoka e këtij tensioni, e këtyre marrëdhënieve të tensionuara.

Çfarë ndryshoi këtë verë, ishte se sheshi dhe ekrani, ai i celularit, u kthyen në mejdanin e një konflikti social dhe politik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos