Bajram Begaj homazhe në Vatikan: E kam falenderuar Papën dy herë që mbështeti dialogun ndërkombëtar

Nga A2 CNN
25 Prill 2025, 17:22 | Politikë

Bajram Begaj homazhe në Vatikan: E kam falenderuar Papën dy herë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kreu sot homazhe pranë trupit të Papa Françeskut në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë një ceremonie ku morën pjesë drejtues shtetesh, klerikë dhe besimtarë nga mbarë bota.

Gjatë kësaj ceremonie nderimi për Atin e Shenjtë, Presidenti Begaj u shoqërua nga katër përfaqësuesit kryesorë të komuniteteve fetare në Shqipëri: mysliman, ortodoks, katolik dhe bektashi. Prania e tyre simbolizoi frymën e bashkëjetesës fetare dhe harmonisë ndërfetare që karakterizon Shqipërinë — një vlerë që Papa Françesku e kishte vlerësuar në mënyrë të veçantë gjatë vizitës së tij në vend në vitin 2014.

Krah Presidentit Begaj në këtë ceremoni ishin edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kardinali shqiptar Ernest Troshani, Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan Pelushi, Kreu i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, si dhe Kreu i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Gent Kruja.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj është pritur në dy Audienca të veçanta në Selinë e Shenjtë, Vatikan, nga Shenjtëria e Tij, Papa Françesku. Herën e parë Presidenti Begaj u takua me Atin e Shenjtë në dhjetor të vitit 2022, disa muaj pasi kishte marrë detyrën e kreut të shtetit në Shqipëri. Takimin e dytë me Papa Françeskun, Presidenti Begaj e zhvilloi në maj të vitit të kaluar. Pas dy takimeve të përzemërta me Atin e Shenjtë, Presidenti Begaj ka shprehur se është ndjerë i nderuar nga pritja në Audiencë të veçantë, ku ka pasur rastin të falënderojë Papa Françeskun për mesazhet e paqes që ka përcjellë në mbështetje të shuarjes së konflikteve dhe forcimit të dialogut ndërkombëtar.

Pjesëmarrja e këtij delegacioni të lartë shqiptar në ceremoninë e lamtumirës për Papa Françeskun nënvizon respektin e thellë të Shqipërisë për figurën e Atit të Shenjtë dhe për trashëgiminë e tij të paqes, bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos