Sjellja në vëmendje e një shkrimi satirik të mëparshëm të Agron Gjekmarkajt në lidhje me karrierën në Partinë Demokratike, vuri në siklet deputetin demokrat. Në studion e “Off the Record” Andrea Danglli i kujtoi Gjekmarkajt kur shkruante se “të bësh prokopi në PD është pasi të lexosh veprat e Aldo Bumçit, Tritan Shehut e Grida Dumës dhe të dalësh në provim para Jeminit (Gjana)?”
Kjo duket se e sikletosi deputetin demokrat, i cili sqaroi se emocionet dhe njerëzit ndryshojnë dhe satira është një mjet për ta bërë politikën më humane, ndërsa vlerësoi figurat demokrate.
“Duhet të ketë qenë shkrim me satirë e me dashamirësi. Emrat që jua lakuat janë eksponentë të rëndësishëm në PD. Kanë kontribut në PD kanë dhënë më shumë se kanë marrë. Meritojnë respektin. Politika është dinamike, në vazhdim. Njerëzit nuk janë statikë. Muri nuk ndryshon njeriu lëviz nga qëndrimet, opinionet, kupton gabimet, kërkon falje. Është natyra njerëzore që nuk e shkëput nga ajo politike. Emocionet nuk janë çdo ditë në të njëjtën kurbë, por PD ka eksponentë dinjitozë për të marrë në dorë fatet e vendit për të qenë perspektivë për Shqipërinë. Satira ëhstë forma më e lartë e komunikimit njerëzor dhe përpiqem herë pas here. Kam qëllim për ta humanizuar politikën, ndonjëherë me ironi e dashamirësi, por asnjëherë me ligësi. Unë jam mirënjohës dhe kam falënderime sesi Berisha ka gjetur mundësinë që secili të ketë lirinë për të dhënë mendimin e tij”.
(A2 Televizion)