Mazhoranca pret që drafti i saj i njëanshëm për ta ndarë territorin në 46 bashki të nisë diskutimin në Komisionin e Ligjeve, ndërsa demokratët po shpresojnë që me nisjen e shtatorit, nga ndërkombëtarët të ketë presion për dialog politik në Kuvend.
A2 CNN iu drejtua KE-së nëse kjo reformë duhet miratuar me konsensus politik apo mjaftojnë 84 vota. Në reagim, Brukseli i tregoi mazhorancës së Edi Ramës se cila është rruga më e mirë, por pa e kushtëzuar me procesin e integrimit.
Komisioni Europian për A2 CNN: “Reforma territoriale nuk është kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Çdo reformë duhet të zhvillohet përmes një procesi gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh pikëpamjet e të gjitha forcave politike dhe aktorëve të përfshirë në Shqipëri, veçanërisht komuniteteve lokale”.
PS këmbëngul ta çojë vendin në zgjedhjet lokale me 15 bashki më pak nga sa janë aktualisht, pavarësisht se PD-ja dhe komunitetet lokale që preken nuk janë dakord. Vetë opozita propozon 100 njësi vendore, por dokumentin nuk e ka depozituar në Kuvend.
Ndërsa vetë këshillat bashkiakë kanë kohë deri në fund të shtatorit që të sjellin vendimet e tyre për propozimin e PS-së, nëse janë apo jo dakord. (A2 Televizion)