Ish-deputeti i PS-së Petro Koçi u shpreh se nëse opozita do të ishte më e fortë, do ta detyronte qeverinë të përmirësohej.
I ftuar në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Koçi tha se nuk mbështet protestat e opozitës, duke e krahasuar Sali Berisha me Enver Hoxha.
“Në përgjithësi jam kritik për gjëra që nuk ecin, qofshin edhe kur janë të partisë time. Por kjo situatë që kërkon Berisha me këto protesta, më kujton atë kur flet Enveri, e vendos partia, ngrihet përnjëherë e gjithë Shqipëria”, u shpreh Koçi.
Sipas tij, opozita nuk mund të prodhojë ndryshim me të njëjtin lidership.
“Kështu që nuk mund të prodhojë asgjë ndryshe nesër Sali Berisha. Problemi i opozitës është vetë ai. Ai është PD dhe ai nuk mund të jetë zgjidhja”, tha Koçi.
Ai shtoi se një opozitë më konkurrente dhe më e shëndetshme do të ndikonte edhe në përmirësimin e qeverisjes.
“Unë e kam thënë prej kohësh, është ‘bingua’ e Edi Rama, sepse mendoj që një opozitë më konkurrente, më e fortë, më e mirë, më e shëndetshme do ta detyronte dhe mazhorancën, në disa drejtime, të ishte më vetëkorrigjuese, siç është edhe raporti me drejtësinë e të tjera”, u shpreh Koçi.
(A2 Televizion)