
Politologu Afrim Krasniqi ishte i ftuar në “Off the Record” ku tregoi dhe një moment kur ka parë një propozim pozitiv nga Partia Demokratike, që quhej “Republika e Re”.
Krasniqi deklaroi mes të tjerash se ndërkombëtarët janë të lodhur nga ankesat e politikanëve shqiptarë, teksa shton se zgjidhja afatgjatë do të vijë vetëm në atë moment kur të reformohen partitë politike.
“Një gjë pozitive që ka bërë opozita në vite ka qenë ideja e Republikës së Re. Nuk merrem me individët. Ka qenë për shkurtimin e numrit të deputetëve, ndarja e shtetit nga partia, kanë qenë 8 pika. Një paketë e tillë që i shkon përshtat shoqërisë dhe jo PD dhe atyre në listat e mbyllura do ishte zgjidhje ideale në kushtet aktuale. Një paketë që nuk kalon me vota në parlament, por kthehet në debat publik dhe i kalohet partnerëve ndërkombëtarë. Partnerët kur dëgjojnë sot ankesat janë të lodhur me ta. Është ndryshe po ka ndodhur dhe zgjidhja jonë është kjo. Zgjidhja afatgjatë është dita kur do të reformojmë partitë politike”, tha Krasniqi. (A2 Televizion)
