Raporti i OSBE/ODIHR, Krasniqi: Problemet nuk janë teknike, por politike, Shqipëria krahasohet me Serbinë

Nga A2 CNN
23 Tetor 2025, 20:34 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi ka komentuar raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, në emisionin Off the Record me gazetarin Andrea Danglli, duke e cilësuar këtë raport si “negativ” për Shqipërinë dhe një pasqyrë të mungesës së vullnetit politik për zgjedhje të ndershme.

Krasniqi tha se shumë nga gjetjet e raportit janë çështje që edhe vetë ekspertët shqiptarë i kanë ngritur më herët në takimet me misionin e ODIHR-it, dhe se ato pasqyrojnë standarde ndërkombëtare të monitorimit zgjedhor.

“Në aspektin se ku është Shqipëria dhe cilat janë sfidat, ky është raport negativ sepse pritshmëritë janë që pas 35 vitesh demokraci, gjëra elementare duhej të ishin zgjidhur”, tha ai.

Sipas Krasniqit, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria renditet ndër më problematiket përsa i përket standardeve zgjedhore.

“Në gjashtë vendet e rajonit që analizova, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia kanë raporte shumë më pozitive se ne. I vetmi raport i krahasueshëm është ai i Serbisë, ku pati shumë problematika dhe qasje të ashpër ndaj opozitës”, theksoi ai.

Ai shtoi se të gjitha shkeljet e përmendura në raport janë rezultat i vendimmarrjeve politike, dhe jo i mungesës së aftësisë teknike për të organizuar zgjedhje të rregullta.

“Dikush ka marrë vendim që të ndodhë ajo gjë. Një shtet serioz identifikon individët përgjegjës dhe ofron alternativa për zgjidhje”, u shpreh Krasniqi.

Ai theksoi se pas çdo raporti të tillë, palët politike në Shqipëri duhet të ndalojnë akuzat e ndërsjella dhe të japin përgjigje konkrete për vullnetin e tyre politik.

“Pas 30 vitesh, pyetja themelore është: a është gati elita politike shqiptare të pranojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe konkurruese, edhe nëse kjo do të thotë të marrë votë kundër vetes?” tha politologu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos