Afrim Krasniqi, politolog dhe studiues, ishte i ftuar në emisionin “ÇdoKënd” me Merita Haklaj nga ku komentoi qeverinë e re Rama 4.
Ai theksoi se nuk kishte zhgënjime pasi, sipas tij, PS e ka të pamundur të ofrojë një reformë të thellë dhe të ofrojë diçka ndryshe nga mandatet e mëparshme.
“Duhet të kuptojmë se çfarë presim nga një qeveri në mandatin e katërt. Deri diku, PS e ka të pamundur të ofrojë një reformë të thellë dhe të ofrojë diçka ndryshe nga mandatet e mëparshme. Kështu që është një lloj modeli i vazhdimësisë edhe në show edhe në emra, edhe në personel, edhe në ide e batuta. Kështu që nuk mendoj se ka ndonjë zhgënjim. Pritshmëritë janë të tillë. PS kaq kapacitet ka dhe zoti Rama kaq ka kapacitet. Pjesa që më pëlqeu ishte ajo para ministrave. Ndoshta, kryeministri duke i njohur edhe mirë problematikat, ai përmendi disa problematika që mendoj se janë shumë të rëndësishme. Edhe mua më pëlqeu ideja e shkurtimit të numrit të deputetëve, jo thjesht për ta thënë si numër dhe si batutë, pasi kjo është kërkuar vite me radhë dhe ai e ka refuzuar, por tashmë i bashkohet opinionit kritik. Ai bëri një analizë të shumë problematikave të vendit, përfshirë edhe të territorit, të parlamentit, të qeverisjes, të cilat i shkojnë gjuhës së opozitës dhe i mungojnë gjuhës së opozitës. Kështu që pjesa e parë më la shije pozitive.
Ndërkohë, pjesa e dytë në një vend ku ka një kryeministër dhe ka individë që emërohen dhe shkarkohen nuk ka shumë rëndësi loja e emrave”, tha Krasniqi. (A2 Televizion)