Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj deklaratave të ardhura nga Beogradi në lidhje me Kosovën dhe lumin Ibër dhe përfshirjen e Shqipërisë në debat.
Në një postim të gjatë në X, Rama thekson se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj Serbisë dhe se mbështetja e Tiranës për Kosovën nuk ka nevojë për narrativën e një “Shqipërie të Madhe”.
Sipas kryeministrit, Kosova është një shtet më vete dhe shqiptarët e Kosovës janë qytetarë të Republikës së Kosovës, me institucionet dhe të drejtën e tyre për të përcaktuar të ardhmen.
Rama i drejtohet drejtpërdrejt edhe narrativës së Beogradit për statusin e Kosovës, duke deklaruar se “Serbia e humbi Kosovën”, ndërsa shton se përsëritja e të kundërtës nuk e ndryshon realitetin territorial.
“Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që ndodhen në të nuk janë burime të Republikës së Serbisë”, shprehet ai.
Rama argumenton se lumi Ibër duhet trajtuar si një sistem ujor ndërkufitar.
Ai pranon se Serbia është e lirë të menaxhojë burimet që ndodhen brenda juridiksionit të saj, por thekson se pasojat e mundshme për një shtet tjetër nuk mund të ndalen në kufirin shtetëror.
“Kjo është pikërisht arsyeja pse ekziston e drejta ndërkombëtare e ujërave”, shkruan Rama, "lumenjtë kanë zakonin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo argumentet diplomatike”.
Kryeministri shqiptar thotë gjithashtu se të drejtat, siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e komunitetit serb në Kosovë duhet të mbrohen.
Rama thekson se Shqipëria dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë dhe një rajon të integruar në Bashkimin Europian, ku, sipas tij, duhet të përfshihet edhe Serbia.
"Por fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë që fqinjët e Serbisë të pranojnë versionin e Serbisë për historinë”, shkruan Rama. "Ballkani ka paguar tashmë një çmim shumë të lartë, në gjak dhe në kohë të humbur". (A2 Televizion)