“Rama e pushkatoi sot politikisht”, Këlliçi: O do të bjerë Altin Dumani, ose Erion Veliaj

Nga A2 CNN
7 Maj 2024, 13:03 | Politikë

Për Belind Këlliçin, Erion Veliaj duhet të dalë para drejtësisë dhe të gjykohet pasi ka futur duart në xhepat e taksapaguesve, e për këtë i takon kreut të SPAK, Altin Dumani që të tregojë se nuk do t’a amnistojë kryebashkiakun e Tiranës.

“Ose do mundohesh t’i shpëtosh fytyrën këtij institucioni duke zbatuar ligjin dhe duke çuar para drejtësisë Erion Veliajn, rrugë të mesme nuk ka. O do të bjerë Altin Dumani, o do të bjerë Erion Veliaj. Hajduti më i madh që ka parë ky vend, që quhet Erion Veliaj, nuk mund dhe nuk do të amnistohet. I takon SPAK-ut, drejtuesve të Prokurorisë Speciale të ngrihen në lartësinë e detyrës. T’i përgjigjen asaj që kërkojnë qytetarët, një drejtësi pa regji.”

Ky ishte mesazhi i ish-deputeti të PD për kreun e Prokurorisë Speciale, ndërsa ndër të tjera tha se kryeministri Edi Rama e pushkatoi politikisht Veliajn në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar socialist.

“Pak më intereson mua dhe qytetarëve të Tiranës, a e lëshoi sot apo e pushkatoi sot politikisht Edi Rama, Erion Veliajn apo jo. Sot zyrtarisht para se të niste protesta kam firmosur në emrin tuaj, në emrin e PD, kallëzimin e ri për Erion Veliajn. Erion Veliaj t’i do mbash përgjegjësi një më një para qytetarëve të Tiranës.”

Këlliçi kërkoi nga qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen protestave kundër grabitjes së parasë publike nga drejtorët e dosjes “5D” me dirigjim nga Veliaj dhe vlerësoi ata që ndodhen në shesh për të 6 herën.

“Ata që dalin janë zemra e Tiranës, krenaria e këtij qyteti dhe po dalin për 1 milionë banorë jo vetëm për veten e tyre. I garantoj të gjithë qytetarët e Tiranës, jo vetëm ata që votuan opozitën, se në këtë betejë po e bëjmë edhe për ju. Për të vendosur një standard në Tiranë. Çdo pushtetar që vjedhë taksat qe qytetarëve, pak rëndësi ka ngjyrimi i tij politik duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos