Në mbledhjen me deputetët dhe drejtuesit e bashkisë së Tiranës, kryeministri Edi Rama ka komentuar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, duke u shprehur se në këtë zonë turistike situata është më serioze sesa shihet në pamje të parë.
Rama theksoi se ndërhyrja nuk është drejtuar ndaj “të shkretëve”, por ndaj personave që, sipas tij, kanë pushtuar në mënyrë të paligjshme një zonë të mbrojtur për përfitime ekonomike.
“Dua të ndalem një moment te çështja e Thethit për të adresuar disa këndvështrime që, sipas meje, meritojnë të sqarohen. Këtu nuk bëhet fjalë për disa njerëz të shkretë, që kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar. Në shumë prej rasteve, nuk kemi të bëjmë as me banorë të zonës”, tha Rama.
Shefi i qeverisë theksoi se në rastin më flagrant që bëri bujë mediatike, ai i kabinave të drurit të stacionuara para kishës historike të Thethit, individët që ndërtuan nuk janë shfaqur as për të pretenduar ndonjë të drejtë.
“Policia e shtetit po merret me hetimin e asaj që është një pushtim kriminal i qendrës së Thethit, që është zemra dhe kartolina e njohur e këtij fshati turistik. Janë ndërtuar objekte që nuk janë për të futur kokën, por për qëllime fitimi”, u shpreh kryeministri.
Rama u ndal edhe te debatet publike mbi aksionin e IKMT-së. Sipas tij po tentohet të zhvendoset përgjegjësia tek institucionet shtetërore që nuk e kanë parandaluar ndërtimin pa leje.
“Nuk mund të ketë një teori që amniston shkelësit e ligjit, duke ia hedhur fajin shtetit pse nuk i ka ndaluar më herët. Sigurisht që edhe strukturat e shtetit kanë përgjegjësi dhe ajo përgjegjësi është marrë përsipër, por kjo nuk i justifikon shkeljet flagrante”, shtoi Rama.
Në fund të deklaratës, ai u shpreh i vendosur se qasja e qeverisë do të jetë e njëjtë edhe në të ardhmen, për të mbrojtur zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë natyrore e kulturore të vendit.
(A2 Televizion)