Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedimin e tij "Sy m'Sy" në Facebook, u shpreh se edhe vetë është i pakënaqur për shumë gjëra, por shtoi se është ambicioz për t’i bërë më mirë.
“Shqiptarët janë në të drejtën e zotit të ankohen sa ta shohin të nevojshme. Shprehja e pakënaqësisë tregon se ka jo vetëm vend për më shumë, por edhe ambicie për më shumë. Unë jam vetë i pakënaqur në shumë gjëra dhe prandaj jam shumë ambicioz për t’i bërë më mirë. Pa diskutim që shqiptarët nuk duan vetëm të vuajnë, por shumica e sheh ndryshimin sepse e prek ndryshimin, e ndjen dhe ndjen në radhë të parë atë gjë të madhe që ka ndodhur. Nuk ka ardhur nga qielli, por si rezultat i përpjekjes dhe mbështetjes së madhe të shqiptarëve”, tha Rama duke iu përgjigjur një komentuseje.
“Nga një vend që nuk gëzonte respekt se vlerësim jo e jo, sot jemi një vend që respektohet, që vlerësohet dhe besohet. Dhe sot jemi të ulur në tryezën e marrëveshjes së madhe, të krushqisë me familjen e madhe dhe të bashkuar evropiane. Kështu që shqiptarët janë të qartë, shumica dërrmuese janë të qartë dhe pjesa tjetër kanë nevojë të hapin sytë. Në atë pjesë ke nevojë të hapësh sytë edhe ti, të shohësh realitetin, patjetër të kritikosh ato që nuk shkojnë. Pa diskutim nuk je e detyruar të pëlqesh apo të aprovosh atë që them e bëj unë, por në asnjë mënyrë me kënetën, me hijet e së shkuarës, me një politikan të lashtë dhe të dëshpëruar e të pashpresë që e marrin vërdallë nëpër Shqipëri për hallet personale të tij. Në asnjë mënyrë sepse e thoshte bukur një komentator: “Duhet të kujdesemi ne për pleqtë në atë fazë ku është edhe ai katrani me bojë dhe jo të kujdesen pleqtë për ne. Kjo është e thjeshtë”, tha Rama.
Një tjetër komentues që i shkruajti se ka gjetur “budallenj” që e votojnë, Rama iu përgjigj: "Ky popull të jep ujë në bisht të lugës jo ty, por edhe mua. Kush nuk e merr seriozisht këtë popull, kush e konsideron dele, përfundon siç ka përfunduar bufi i kënetës bashkë me sojin dhe sorollopin e tij politik. Ky popull ka bërë udhëtim të gjatë për të ardhur këtu. I ka mbijetuar situatave dhe furtunave të historisë në mënyrë të hatashme. Një popull i vogël që ka qenë target i politikave të fuqive të mëdha për t’u asimiluar komplet në kohëra të tjera kuptohet, që ka rrezikuar të humbasë gjuhën, se edhe atë u përpoqën t’ia merrnin, që ka rrezikuar të mbetet me një alfabet tjetër për tjetër, ka mbijetuar dhe ka ardhur deri këtu se mban brenda shpirtin evropian, pavarësisht se në pamje të jashtme mund të duket si të duash ti. Populli është i kthjellët dhe në rregull. Bëhu më fisnik kur flet për popullin tënd”.
(A2 Televizion)