Kryeministri vlerësoi sot progresin e bërë në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke theksuar se Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka hyrë në një fazë funksionale pas shumë vitesh problematikash.
“Administrimi i pasurive të sekuestruara më në fund ka filluar të bëjë sens. Merita është e ministrit që i dha vëmendjen e duhur kësaj njësie, por edhe e drejtoreshës që e vuri në vijë punën”, u shpreh Kryeministri, përcjell A2 CNN.
Ai kujtoi se për vite të tëra, njësia e administrimit të pasurive funksiononte në mënyrë të gabuar: “Ua merrnin kriminelëve me 1001 përpjekje dhe pastaj ua jepnin mbrapsht me çmime të arsyeshme. Policia e Shtetit mbetej pa infrastrukturën e duhur, ndërsa ata rimerrnin pallatet dhe vilat që mund të ishin fare mirë komisariate policie”.
Kryeministri solli në vëmendje edhe gjendjen e trashëguar prej dekadash me fusha të tëra të mbushura me automjete, motorë e karroca të sekuestruara si prova, duke e cilësuar si një ndotje të rëndë mjedisore. “Pas 35 vitesh, po pastrohet Shqipëria nga disa tumore të tmerrshme. Numri i shapkave të mbledhura si prova është i lemeritshëm, aq sa mund të vishnim me to pastrueset e gjithë Ballkanit”, tha ai.
Sipas Kryeministrit, ndërhyrjet e fundit dhe ristrukturimi i AAPSK po sjellin rezultate konkrete: “U desh vetëm vëmendje dhe strukturim i punës, dhe sot po çlirohen qytetet nga këto burime kancerogjene. Shqipëria po tregon se asetet e sekuestruara nuk kthehen më mbrapsht, por i shërbejnë interesit publik”. (A2 Televizion)