Gjatë fjalës së tij në grupin socialist, për qëndrimin ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e ish numrit dy të qeverisë dhe theksoi se ajo është një nga figurat më të votuara socialiste dhe se gjatë drejtimit të saj solli një ndryshim epokal në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë.
“Duhet t’u them shqiptarëve se ndryshimin epokal që vazhdon dhe do të vazhdojë në sektorin e infrastrukturës dhe në sektorin energjetik të vendit tonë, nuk e solli koha, as thjeshtë paratë. Para janë harxhuar plot edhe më parë, për rrugët e lëna rrugëve, nuk e solli askush dhe asgjë tjetër përpos votës së tyre për këtë parti, për qeverinë e kësaj partie ku bën pjesë edhe Balluku si anëtare e kryesisë së PS, si një ndër njerëzit tanë më të votuar dhe më të mbështetur nga zgjedhësit e cila për 6 vite me radhë drejtoi Infrastrukturën duke punuar pa orar, luftuar pa rezervë për të realizuar në afat dhe cilësi objektivat e programit tonë qeverisë në këta dy sektorë që e kanë vuajtur prapambetjen historike”, u shpreh Rama.
Kryeministri njoftoi se ajo do të vazhdojë aktivitetin politik në qarkun e Fierit dhe do të provojë mbështetjen e qytetarëve edhe pa pasur një funksion në pushtetin ekzekutiv.
“Edhe këtu mes nesh ka disa që mendojnë se fitoret shembullore elektorale të Belindës burojnë nga fuqia e pushtetit që ajo kishte, kjo mbetet për tu parë në zgjedhjet e afërta vendore të Fierit ku ajo do vazhdojë të drejtojë qarkun dhe s’do jetë në asnjë pushtet ekzekutiv. Por ajo që unë di me siguri është një gjë tjetër, se pak kush nga ne këtu i mban si Belinda Balluku kontaktet me territorin, duke shkuar rregullisht në zonat që mbulon si drejtuese politike”.
Megjithatë, Rama u shpreh se nuk do të ndërhyjë në proceset që i takojnë drejtësisë. Ai deklaroi se shpreson që SPAK të hetojë deri në fund çdo pistë që mund të çojë tek korrupsioni.
Uroj që në hetimin e çështjes, SPAK të shterojë çdo pistë që mund të çojë tek korrupsioni, sepse në fund të ditës gjithkush pas të 18 varet vetëm nga këmbët e veta me ligj dhe zakon”
“Nuk kam fare në plan ta shpall as hero dhe as viktimë Belindën sot dhe uroj që në hetimin e çështjes për të cilën ajo akuzohet se ka kryer, prokuroria të shterojë çdo pistë që mund të çojë tek korrupsioni, sepse në fund të ditës gjithkush pas të 18-ve varet vetëm nga këmbët e veta me ligj dhe me zakon. Ndërkohë që unë si kryeministër ndryshe nga sa mendojnë dhe flasin ata që s'e kanë idenë e kësaj detyre, nuk e kam as të mundur, po nuk e kam as të lejuar, qoftë nga ligji, qoftë nga zakoni që t'i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori. Nuk kam ndërmend as t'ju them aq më tepër juve që e njihni më mirë se të tjerët që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë pasi ca më shumë e ca më pak e dimë të gjithë se sa e lehtë është të merresh me të. Sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë dhe do me çdo kusht që të dalë e vetja. Nuk kam jo e jo ndërmend ta shpall të pafajshme për çka akuzohet apo të shkel për të vijën e kuqe të cilën e kam vizatuar përpara deputetëve në këtë sallë të nesërmen e miratimit të reformës në drejtësi dhe që vlen për të gjithë njësoj”.
Nga ana tjetër, Rama kritikoi mënyrën se si, sipas tij, çështja është trajtuar në media dhe në rrjetet sociale, duke thënë se Balluku është paraqitur padrejtësisht si kriminele me 300 vila dhe jahte.
“Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër dhe fatkeqësisht të bërë zakon nga grupet hetimore të stacionit të trenit, të cilat i përdorin mediat si forca paramilitare të fajësimit dhe të asgjësimit publik të subjekteve të tyre. Mjaftoi që ndaj Belinda Ballukut të ngrihen të tëra dallgët e detit të urrejtjes që zihen e zihen e zihen pa pushim në 700 tenxheret e pazarit tonë politik e mediatik dhe të mblidhen të tëra retë e fantazive perverse të rrjeteve sociale, për ta kthyer njeriun në një kriminel me 300 vila, dy jahte, 10.000 euro solucione magjike për një larje makine”. (A2 Televizion)