Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim falënderues me qytetarët në Sheshin Skënderbej në Tiranë, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë fjalës së tij para qytetarëve, Rama tha se shqiptarët në këto zgjedhje treguan se dinë të zgjedhin, shkruan A2 CNN.
Ai tha gjithashtu se këto zgjedhje përballën Shqipërinë që di çfarë bën dhe nuk ndalet duke u ngjitur lart e më lart, me Shqipërinë që vetëm shan e mallkon, duke u ulur sipas tij, poshtë e më poshtë.
Në vijim të sulmeve të tij ndaj opozitës, Rama tha gjithashtu se shqiptarët zgjodhën mes një Shqipërie gjithnjë e më të mirë, të udhëhequr me krenari dhe një Shqipërie me sy të nxirë nga grushtat e urrejtjes politike (duke etiketuar këtu opozitën).
“Shqiptarët vendosën të na i besojnë ne, Partisë Socialiste, mandatin e katërt. Ne mbollëm edhe më shumë besim te Shqipëria, prandaj mblodhëm më shumë besim nga shqiptarët. Ne mbollëm krenari edhe më të madhe për Shqipërinë Europiane që po ndërtojmë, prandaj mblodhëm votat referendare për Shqipërinë që do ta anëtarësojmë në BE.
Këto zgjedhje përballën Shqipërinë që di çfarë do dhe çfarë bën dhe punon e nuk ndalet duke u ngjitur lart e më lart, me Shqipërinë që di vetëm kë nuk do dhe s’di çfarë flet dhe shan e mallkon pa pushim, duke u ulur poshtë e më poshtë.
Shqiptarët zgjodhën mes një Shqipërie gjithnjë e më të mirë, të udhëhequr me krenari dhe të qeverisur me vendosmëri në rrugën e mundimshme të fatit tonë europian dhe një Shqipërie të përgojuar si vend gjithnjë e më i keq i tërë të zezave, me sy të nxirë nga grushtat e urrejtjes politike dhe trupin e tërhequr zvarrë nga gjuhët e palodhura të asaj urrejtjeje”, tha Rama, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)