Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Berat me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe “start up”-eve mbi rrugën e bërë dhe sfidat për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë tha: “Nëse krijojmë sinergji duke u përpjekur të vëmë në dispozicion mjetet që kemi, atëherë patjetër që mund të krijojmë edhe më shumë hapësirë, edhe më shumë brumë për të pjekur në këtë furrë të re. Çka unë i kam kërkuar ministres për Sipërmarrjen është që duke ftuar një numër prej jush, edhe duke përfshirë një numër prej nesh, të kemi një ditë si kjo dhe të trajtojmë në mënyrë sa më shterruese problematikat e kësaj bote të re që është krijuar në vendin tonë”.
“Duke folur për kapitalin njerëzor dhe përshtatjen e aftësive për transformimin dixhital dhe qeverinë elektronike, për të gjitha segmentet sektoriale dhe pozicionimin konkurrues, financimin sektorial, për integrimin ndërkombëtar, aksesin në tregje dhe gatishmërinë për eksport dhe të kuptojmë se si këtë ndërveprim ta ngremë në një nivel të një komunikimi konstant, kur të mos i mbetet rastësisë”, shtoi Rama, shkruan A2.
“Ne kemi filluar të kuptojmë se si mund të bëhemi partnerë të drejtëpërdrejtë me ju”, shtoi më tej kryeministri.
(A2 Televizion)