Reforma zgjedhore, palët dakordësohen për variantin final. Lapaj dhe Qori pjesëmarrës pa të drejtë vote në komision

Nga A2 CNN
24 Tetor 2025, 12:02 | Politikë

Reforma zgjedhore, palët dakordësohen për variantin final. Lapaj

Partitë politike kanë miratuar variantin final të ngritjes dhe funksionimit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, shkruan A2 CNN.

Komisioni i Posaçëm do të përbëhet nga 16 anëtarë, nga të cilët 7 anëtarë janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 7 anëtarë janë përfaqësues nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, dhe 2 anëtarë nga partitë që kanë fituar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 maj 2025. Emrat e anëtarëve të Komisionit përcaktohen me vendim të Kuvendit.

Në mbledhjet e Komisionit mund të marrin pjesë pa të drejtë vote deputetë të partive të tjera parlamentare të cilët kanë të drejtë të bëjnë propozime për ndryshime në legjislacionin e Reformës Zgjedhore. Vendimmarrja e Komisionit do të synojë konsensusin e gjerë për të gjitha propozimet.

Vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, por vetëm kur kanë njëkohësisht konsensusin e të dy bashkëkryetarëve.

Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij për një afat 9-mujor nga miratimi i këtij vendimi. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të dy bashkëkryetarëve, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së Komisionit me një vendim të veçantë të Kuvendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos