“Litari këputet duke u tërhequr dhe zullumi duke u trashur” - Dervishi: Raporti i ODIHR duhet parë si pasqyrë

Nga A2 CNN
23 Tetor 2025, 22:13 | Politikë

“Ky raport duhet parë si pasqyrë, jo si dylbi dhe as si lente. PS mund ta përdorë si dylbi për të thënë se nuk sheh asgjë, PD mund ta shohë si lente për të fokusuar një pjesë, por nëse e sheh si pasqyrë, aty ka shumë për të reflektuar”.

Kështu u shpreh në gazetari Lutfi Dervishi në emisionin Off the Record me gazetarin Andrea Dangllin në A2 CNN teksa u analizua raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR.

Ai paralajmëroi se mungesa e reflektimit nga mazhoranca është një sinjal i rrezikshëm për demokracinë.

“Litari këputet duke u tërhequr dhe zullumi duke u trashur. Vjen një moment që nuk e kontrollon më dot. Historia ka treguar se vjen dita e ballafaqimit”, tha Dervishi.

Dervishi theksoi se vendi ndodhet në një moment kritik, kur Bashkimi Europian kërkon me çdo kusht integrimin e Shqipërisë, por standardet demokratike po degradojnë.

“Jemi në një situatë ku BE-ja na do me zor brenda, por me këtë raport zgjedhjesh nuk mund të bëhesh vend anëtar. Çfarë raporti do të duam të kemi në 2027 apo 2029?” – pyeti ai.

Sipas Dervishit, përgjegjësia për zgjedhjet bie mbi qeverinë dhe jo vetëm mbi opozitën. Ai theksoi se përdorimi i administratës, mungesa e ndëshkimit të krimeve zgjedhore dhe përfshirja e bandave në proces janë “probleme reale, jo fjalë goje”.

Ai kërkoi që politika shqiptare të ndalojë improvizimet dhe të ndërmarrë një reformë të thellë politike, që përfshin financimin e partive, median dhe qasjen ndaj qytetarëve, për të shmangur përsëritjen e një raporti negativ si ky i 2025-ës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos