
Në ditën e dytë të qëndrimit të saj në Izrael, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vizitoi qendrën përkujtimore të Holokaustit "Yad Vashem", ku është dokumentuar përndjekja dhe vrasja e gjashtë milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se "Shqipëria nderohet e vlerësohet si e drejtë mes kombeve, me refuzimin për çnjerëzimin dhe dorëzimin e hebrenjve në duart e persekutorëve".
Ministrja shtoi se “akti njerëzor e kombëtar i shpëtimit të hebrenjve është pjesë e trashëgimisë sonë morale dhe historike”,
Postimi i Spiropalit:
Jeruzalem - Kudo shkoj, Shqipëria dhe historia jonë më bëjnë të ndihem krenare.
Kështu ndodhi edhe në “Yad Vashem”, në qendrën përkujtimore të Holokaustit, ku është dokumentuar në imtësi e thellësi, një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë njerëzore.
Krenare që Shqipëria nderohet e vlerësohet si e drejtë mes kombeve, me refuzimin për çnjerëzimin dhe dorëzimin e hebrenjve në duart e persekutorëve, duke hapur dyert, shtëpitë dhe zemrat për ta, me një akt njerëzor e kombëtar që sot është pjesë e trashëgimisë sonë morale dhe historike. (A2 Televizion)
