
Sipas burimeve zyrtare nga Partia Demokratike Dega Vlorë, kandidati i pavarur Dionis Sota, i cili mbështetet nga ky subjekt politik, ka arritur të mbledhë firmat që i duhen për t'u zyrtarizuar në zgjedhjet e pjesshme të 9 Nëntorit.
Sota duhet të mblidhte në total rreth 1800 firma, ose e thënë ndryshe, sipas ligjit në fuqi, 1% të numrit të votuesve plus 5% të shumës që del nga herësi në fjalë, shkruan A2CNN.
Afati i fundit për dorëzimin e firmave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ishte data 24 tetor, pikërisht kjo e premte.
Sota, sipas informacioneve, po udhëton sot drejt Tiranës për të dorëzuar firmat.
Për Bashkinë e Vlorës deri tani pritet të jenë tre kandidatë në garë: Brunilda Mersini nga Partia Socialiste, Dionis Sota kandidat i pavarur, i mbështetur nga PD Vlorë, PL, dhe Shqipëria Bëhet si dhe Gjergji Nika, kandidat i pavarur. (A2 Televizion)
