Aksionin e iniciuar nga Kryeministri Edi Rama për kontroll me dorë të hekur në territor, ku përveçse ka kritikuar punën e krerëve të bashkive, u ka kërkuar largimin e të gjithë drejtorëve, lideri i opozitës e konsideron në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe autonomisë lokale.
“Është një shkelje e rëndë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit 2006 që ndalon apo i heq të drejtën qeverisë qendrore të mos bëj asnjë ndryshim në vendimet e qeverisë vendore.”
Referuar deklaratës së Ramës që ka pohuar nevojën për një reformë të re territoriale, Berisha i përgjigjet negativisht, pasi nuk njeh legjitimitetin e tij si Kryeministër, por është gati të ulet në tryezë për një reformë të re zgjedhore.
“PD nuk njeh legjitimitetin e Edi Ramës si kryeministër dhe nuk mund të pranojë të ulet me të. PD nuk mund të pranojë legjitimitet karrigesh mbi farsa elektorale. Reforma zgjedhore bëhet nga partitë politike. Unë nuk them se PS nuk është një parti e spektrit politik në Shqipëri”.
Teksa citoi raportin e miratuar nga Parlamenti Europian për gjendjen e shtetit ligjor në Shqipëri, akuzon Ramën se ka përhapur dezinformime përmes Presidencës dhe Kuvendit.
“Në këtë raport analizohet gjendja dramatike e shtetit ligjor, ndërkohë Edi Rama për të përshëndetur raportin nxjerr zyrat e klonuara të shtypit, njëra në presidencë dhe tjetra në parlament dhe unë e quaj këtë një akt dezinformimi të turpshëm”.
Duke cituar gjetjet e raportit, lideri i opozitës flet për ndërhyrje të politikës në sistemin e drejtësisë dhe si shembull merr protestën që u zhvillua para SPAK nga mbështetësit e Erion Veliajt, teksa kreu i bashkisë priste konfirmimin e masës së arrestit në burg. (A2 Televizion)