Shqipëria po përjeton një bum turistik në fushën e trashëgimisë kulturore dhe historike, me një numër rekord vizitorësh të regjistruar gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025.
Të dhënat janë bërë publike nga kryeministri Edi Rama, i cili njoftoi se nga janari deri në shtator, janë numëruar gjithsej 1,259,774 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 57% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në krye të listës së destinacioneve më të vizituara renditet Parku Arkeologjik i Butrintit, me 257,670 vizitorë, ndjekur nga Kalaja e Gjirokastrës, me 253,407 vizitorë.
Parku Arkeologjik i Shkodrës ka pritur 150,927 vizitorë, ndërsa Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është vizituar nga 147,178 persona. Ndër atraksionet kryesore është edhe Parku Arkeologjik i Apolonisë, me 109,669 vizitorë.
Këto shifra dëshmojnë për rritjen e interesit ndaj trashëgimisë historike dhe kulturore shqiptare dhe përforcojnë pozicionin e Shqipërisë si një destinacion në rritje për turizmin kulturor në rajon dhe më gjerë. (A2 Televizion)