Konferenca e Pestë Ndërqeveritare midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë do të zhvillohet më 22 maj 2025, në Bruksel, njoftoi Kryeministria.
Në konferencë do të çelen 8 kapituj të rinj të Grupimit të 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, “Kjo shënon një tjetër hap të rëndësishëm e historik përpara në negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Ky grupim përfaqëson rritjen gjithëpërfshirëse për mirëqenie dhe përfshin tetë fusha ose kapituj: Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media), Kapitulli 16 (Tatimet), Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare), Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi), Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale), Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura), Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor). Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.
Me këtë vendim janë hapur deri tani negociatat gjithsej për 27 fusha (kapituj dhe kritere) në vetëm tetë muaj, pas hapjes me sukses të Grupimit 1 (Themeloret) më 15 tetor 2024, Grupimit 6 (Marrëdhëniet me Jashtë) më 17 Dhjetor 2024, si dhe Grupimit 2 (Tregu i Brendshëm) më 14 Prill 2025. Ky ritëm i përshpejtuar i çeljes së negociatave reflekton si përkushtimin e Shqipërisë ndaj reformave, ashtu edhe theksin e ripërtërirë të BE-së mbi zgjerimin si një prioritet strategjik.
Sipas Kryeministrisë, përfundimi me sukses i këtyre negociatave pritet të sjellë përmirësime të prekshme në jetën e qytetarëve shqiptarë, si shërbime publike më të thjeshta dhe transparente, politika tatimore më të drejta të prirura për t'u bërë pjesë e tregut të vetëm të BE-së, mbrojtje më të forta për punëtorët dhe vende pune më të sigurta. (A2 Televizion)