Sherr në sy të Europës, “qeveri ilegjitime” PD-PS përplasen për ODIHR përpara eurodeputetëve

Nga Ervin Koçi
29 Tetor 2025, 15:11 | Politikë

Dita e dytë e këtij samiti i kishte rezervuar të drejtën e fjalës deputetëve pjesëmarrës, ku opozita e shfrytëzoi si mundësi për t’u bërë kolegëve nga Parlamenti Europian të ditur gjetjet e raportit të ODIHR, shoqëruar me akuzat se mazhoranca socialiste ishte ilegjitime.

“Legjitimiteti i qeverisjes, pra i Parlamentit dhe i Qeverisë, siç rregullohet në çdo vend evropian, buron nga liria dhe barazia e zgjedhësve. Por, siç ka treguar raporti i ODIHR, zgjedhjet e 11 majit nuk ishin as të lira, as të barabarta, çka do të thotë se Parlamenti dhe Qeveria jonë sot nuk kanë legjitimitet demokratik”, tha Bardhi.

Qëndrimet e palëve politike shqiptare treguan edhe dallimet e mëdha që ekzistojnë ndërmjet tyre. Taulant Balla u shpreh se raporti i ODIHR është një udhërrëfyes për punën e Komisionit të Reformës dhe se përgjigjen nuk kishte ndërmend t’ua jepte demokratëve të pranishëm në sallë, por Sali Berishës në selinë e PD-së, shkruan A2 CNN.

“Zgjedhjet e 11 majit janë vlerësuar nga ODIHR si konkurruese dhe të administruara në mënyrë profesionale. Kam dëgjuar që kryetari i PD ka komentuar lidhur me propozimet tona sa i përket reformimit të Kuvendit, përfshirë numrin e deputetëve, madje ka dalë edhe me propozim për të pasur një Senat. Le të diskutohen të gjitha këto çështje si pjesë e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore”, u shpreh Balla.

Kolegët nga Parlamenti Europian, në pjesën më të madhe të kohës, vetëm dëgjuan me përkthim konfliktin politik ku socialistët e demokratët nuk u kursyen ndaj njëri-tjetrit — diçka që, siç dukej, kishte filluar të bezdiste bashkëkryetarin nga Parlamenti Europian.

“Ne përfaqësojmë vendet nga të cilat jemi zgjedhur, por secili prej nesh është potencialisht i zgjedhshëm edhe në vendet e tjera të Evropës, dhe kjo është Evropa e Bashkuar. Të ndërtosh një sistem rregullash për popullin shqiptar do të thotë të njohësh vlerat e BE-së, në mënyrë që edhe ne ta perceptojmë këtë copë të Evropës si shtëpinë tonë. Kjo është një qasje më e lartë se niveli i debatit, por nëse nuk kemi yje të tilla orientimi, është e vështirë të përparojmë”, tha Marco Tarquinio.

Mbledhja e komitetit u mbyll me një deklaratë të përbashkët të dy bashkëkryetarëve, të cilët nënvizuan mbështetjen e Parlamentit Europian për Kuvendin, ndërkohë që Shqipëria i afrohet anëtarësimit të plotë në BE. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos