
“Le të jemi të qartë - mbyllja e kapitujve është një ushtrim më i vështirë sesa hapja e tyre.”
Me këto fjalë kreu i delegacionit europian në Tiranë duke se i tregoi qeverisë shqiptare të vërtetën jo të ëmbël të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Takimi i 20 i komitetit të stabilizim asociimit, Shqipëri – BE shërbeu si platforma ku ekzekutivi shqiptar të vijonte të shprehte krenarinë e hapjes së shpejtë të grupkapitujve të negocimit, ndërsa përballë gjeti një kritikë nga përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.
“Presim që brenda këtij viti të hapim edhe grup – kapitullin e fundit dhe brenda 2027 ti kemi mbyllur të gjithë”, tha Elisa Spiropali.
“Nëse Shqipëria do të përmbushë objektivin e saj ambicioz të vitit 2027,atëherë duhet, së pari, të përmbushë standardet e ndërmjetme edhe këtë vit. Dhe më pas, gjatë vitit 2026, duhet të përqendrojë të gjitha përpjekjet në reforma të gjera në të gjitha grupet”, tha Gonzato.
I pranishëm në takim ishte edhe kryeparlamentari Niko Peleshi i cili në fjalimin e hedhur në letër rendiste punën e Kuvendit në procesin integrues, por delegacioni i BE-së duket se e kishte mbajtur shënim të gjithë ecur në 45 ditore të Kuvendit nën lidershipin.
“Kuvendi do të vazhdojë të monitorojë nga afër ecurinë e negociatave, në bashkëpunim me grupet e interesit, organizatat e shoqërisë civile dhe aktorët e tjerë jo-politikë, për të garantuar që procesi të mbetet transparent dhe gjithëpërfshirës”, tha Peleshi.
“Demokracia nuk ka të bëjë me numrat, por me përfshirjen. Procesi i pranimit nuk mund dhe nuk duhet të shihet thjesht si një negociatë midis qeverisë aktuale dhe Komisionit Evropian. Është një qasje e të gjithë shoqërisë ku të gjitha forcat politike, shoqëria civile, komuniteti i biznesit dhe qytetarët marrin pjesë dhe luajnë një rol”, deklaroi Gonzato.
Fjalët e BE-së nuk tingëlluan mirë as kur ambasadori Gonzato vlerësoi konsensusin e arritur për ngritjen e dy komisioneve të posaçme, duke shprehur shqetësimin për kushtet e pabarabarta në të cilat zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri.
“Komisioni i reformës zgjedhore në veçanti është një mundësi për të adresuar çështje sistemike, siç janë përdorimi i burimeve administrative për qëllime zgjedhore, paqartësia në financimin e partive dhe fushatave, blerja e votave dhe politizimi i administratës zgjedhore. Këto janë theksuar së fundmi në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet e majit 2025”, nënvizoi ambasadori i BE-së.
Komiteti i Stabilizim Asociimit Shqipëri BE do të vijojnë diskutimet ku në finale do të dalë edhe në një rezolutë sa i takon punës që duhet të bëj vendi për të përparuar më shumë drejtë BE-së. (A2 Televizion)
