“Lufta e liria nuk janë krim”, Rama kundër Hagës dhe kritikëve të Thaçit në Prishtinë

Nga Fjorela Beleshi
28 Tetor 2025, 19:07 | Politikë

Kryeministri Edi Rama ka dalë sërish në mbrojtje drejtuesve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë. Duke postuar në rrjetet sociale një foto të Hashim Thaçit dhe gjeneralit Wesley Clark, i cili është thirrur të dëshmojë nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Edi Rama vë edhe njëherë në dyshim drejtësinë e Hagës.

“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga shinat mbi të cilat u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!”.

Por Edi Rama nuk shigjeton vetëm drejtësinë speciale të Hagës, por edhe politikën e Prishtinës, me pretendimin se disa aktorë në Kosovë synojnë të përfitojnë nga mungesa e Hashim Thaçit.

“Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, duke uruar të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.”

Më 17 tetor në Tiranë u mbajt protestë në mbrojtje të liderëve të UCK të cilët ndodhen në Hagë që prej 2020, protestë që u parapri nga polemika politike, si brenda Kosovës e Shqipërisë, por edhe mes Prishtinës e Tiranës, me debatin e deklaratave mes vetëvendosjes së Albin Kurtit dhe Edi Ramës.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos