Kërkesa e opozitës për mocion me debat u refuzua nga mazhoranca. Me forcën e kartonit deputetët socialistë nuk pranuan që të debatonin për bllokimin nga Bashkimi Europian të fondeve të projektit IPARD, pas dyshimeve për keqpërdorim të tyre, në vend që të shkonin në mbështetje të fermerëve.
Pavarësisht qëndrimit refuzues nga mazhoranca socialiste, demokratët kanë firmosur kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor, për të nxjerrë përgjegjësinë institucionale dhe për të bërë ndryshime ligjore që të ndikojnë pozitivisht te fermerët për të thithur sa më shumë fonde nga BE.
“Qëllimi i Komisionit Hetimor që kërkohet të krijohet mbi bazën e kësaj kërkese, synon që të mbledhë informacione të hollësishme mbi zbatimin e Marrëveshjeve IPA II dhe IPARD II ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, të miratuara pikërisht nga Kuvendi i Shqipërisë, verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve dhe zyrtarëve shqiptar gjatë proceseve të përzgjedhjes së aplikimeve dhe zbatimit të projekteve, nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, si dhe vlerësimin e nevojës për miratim, korrigjim dhe ndryshim të legjislacionit”, thuhet në kërkesën e opozitës në komisionin hetimor.
Për të mbështetur kërkesën e tyre, demokratët citojnë edhe disa gjetje paraprake ku sipas tyre miliona Euro janë tjetërsuar, ku ishin destinuar për të shkuar të fermerët, por janë përdor nga zyrtarë të ndryshëm shtetëror.
“Në Tetor 2024, Ministria e Financave kontraktoi kompaninë gjermane “FTI Consulting”, e cila përkundrejt vlerës 376.800 Euro, kishte për detyrë të kryente auditimin e jashtëm për të vlerësuar zbatimin e Programit IPARD II (2014-2022) në Shqipëri. Sipas përgjigjes zyrtareve që AZHBR i ka kthyer mediave rezulton se numri total i subjekteve të identifikuara për mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale është 164 subjekte, të cilave iu është kërkuar kthimi i shumës totale 1.468.334.032.82 Lekë ose rreth 15 milionë Euro. Pra, nga 431 përfitues, AZHBR ka pranuar se të paktën 164 subjekte kanë shkelur detyrimet e tyre kontraktuale”, thuhet në kërkesën e opozitës në komisionin hetimor.
Në dokumentin e firmosur nga 45 deputetë të Partisë Demokratike theksohet se ky komision hetimor nuk ka qëllim për të nxjerr para përgjegjësisë penale, por për të verifikuar ligjshmërinë e zyrtarëve gjatë përzgjedhjes se aplikimeve fituese.
“Puna e Komisionit Hetimor nuk do të konsistojë në nxjerrjen e përgjegjësive penale për personat që potencialisht mund të kenë kryer shkelje, pasi kjo është detyrë funksionale e organeve të drejtësisë. Komisioni Hetimor do të përqendrojë punën e tij në njohjen dhe verifikimin në thellësi të ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga zyrtarët shqiptar gjatë fazës së përzgjedhjes së aplikimeve fituese të fondeve të programit IPARD II, si dhe gjatë fazës së zbatimit të projekteve të miratuara”, kërkon opozita.
Komisioni hetimor parashikohet që të ketë 11 anëtarë, ku drejtimin do ta ketë Partia Demokratike por shumica e anëtarëve do të jenë socialistë. (A2 Televizion)
