Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj deklaroi në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN se vendimi për shkarkimin e Erion Veliajt si kryebashkiak dhe çuarja e kryeqytetit në zgjedhje të pjesshme, ishte një vendim i justifikuar pasi Tirana nuk po funksiononte prej kohësh.
Teksa komentoi zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen në 6 bashki të vendit, deputeti i majtë u pyet nëse Veliaj u tradhtua nga PS dhe ai u përgjigj: “E para tradhtuar... Unë nuk dua ti hyj një analize në këtë aspekt më shumë sesa asaj analize reale të situatës në të cilën ndodhemi.”
“Qyteti ndodhet në një pikë të atillë si asnjëherë më parë. Pra është një qytet që nuk po funksiononte prej kohësh. U bë një kohë e gjatë dhe nuk mund ta linim ne në këtë pikë të vazhdonte pa dikë që mund ta drejtojë ashtu siç duhet dhe jo vetëm ta drejtojë, por edhe që strukturat e tjera të bashkisë së Tiranës të funksionojnë duke ditur që është një lidership i duhur dhe këtë gjë mendoj se më së miri do ta bëjë Ogerta Manastirliu”, shtoi Malaj në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN.
Malaj u shpreh me superlativa sa i përket punës së kryer nga Veliaj në 10 vite në krye të Bashkisë së Tiranës.
“Unë kam mendimin tim që Erion Veliaj ka qenë absolutisht një kryetar i denjë për Bashkinë e Tiranës. Ky është mendimi im persona por edhe i qytetarëve që e kanë votuar sepse nuk e kam çuar unë atje”, deklaroi ai në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN.
Ndërkohë për garën që PS ia ka besuar ish-ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, deputeti socialist nënvizoi se ajo është kandidatja e duhur për të çuar përpara punën dhe sfidat e kryeqytetit.
“Ogerta Masnistriliu është kandidatura më e mirë që ne mund të kishim për Bashkinë e Tiranës. Do të jap një arsye formale dhe një tjetër personale. Në rastin e parë di të them se zonja Manastirliu me mënyrën e të punuarit, me vizionin e saj dhe me punë që bëri për zgjedhjet e 11 majit na dha ne në Tiranë rezultatin që ne morëm. Dhe unë ju siguroj që roli i saj ka qenë shumë i rëndësishëm. Unë kam qenë pjesë e skuadrës së kandidatëve për deputet në qarkun e Tiranës dhe ka qenë një person që me maturinë, qetësinë, vizionin, qetësinë dhe sigurisht me eksperiencën na çoi përpara”, deklaroi Malaj në “Terminal” me Aurora Sulçen, në A2 CNN. (A2 Televizion)