“Shumë afër dita e PD në pushtet”, Xhaferri: Berisha do e rrëzojë Ramën me qytetarët shqiptarë

Nga A2 CNN
27 Tetor 2025, 21:13 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka deklaruar se momenti për rikthimin e PD-së në pushtet është shumë pranë. I ftuar në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai u shpreh me bindje se ndryshimi politik në vend mund të ndodhë “që muajin tjetër, madje edhe javën tjetër”.

“Që vitin tjetër, që muajin tjetër, që javën tjetër! PD duhet të vijë në pushtet një orë e më parë,” tha Xhaferri.

I pyetur se kur e sheh realisht të mundur ardhjen në pushtet të demokratëve, deputeti u përgjigj:

“Unë mendoj se dita është shumë e afërt. Zullumi është trashur kaq shumë nga kjo pala këtej sa do të hajë veten. Puna është që ne të jemi gati kur të na thërrasë ai moment historik. PD ka rrëzuar Ramiz Alinë me zgjedhje, ka dështuar në 1991 dhe ka dalë me sukses në 1992. PD ka rrëzuar Fatos Nanon në 2005.”

Në vijim, gazetari Andrea Danglli i kujtoi se në ato kohë Sali Berisha kishte mbështetjen e studentëve, ndërsa sot auditorët janë bosh.

Në përgjigje, Xhaferri u shpreh: “Ndoshta do ta bëjë me pensionistë, ndoshta do ta bëjë me shqiptarët. Vota ka të njëjtën vlerë,” përfundoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos