Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në Tryezën e Diskutimit mbi “Vlerësimin e Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme”, organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes. Në fjalën e saj, Spiropali theksoi se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është larg nga perfeksioni, por po ecën në rrugën e duhur, falë reformave që e kanë çliruar atë nga ndikimi politik i mëparshëm dhe kanë luftuar kulturën e pandëshkueshmërisë.
Ajo vuri në dukje rolin thelbësor të Kuvendit si garantues i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, të cilat jetësuan reformën në drejtësi dhe siguruan pavarësinë e institucioneve si SPAK dhe GJKKO, që sot shihen si modele për sistemin gjyqësor shqiptar. Spiropali theksoi se progresi nuk është i lehtë dhe kërkon luftë të vazhdueshme për të fituar betejat e përditshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Sistemi i drejtësisë sot është larg nga të qenit i përkryer, por në rrugën e duhur të funksiononimit, kryesisht pavarësimi nga humori i politikës. SPAK dhe GJKKO janë shndërruar në model krahasimor për arkitekturën e tjetër të sistemit. Progresi nuk është i lehtë, është luftë e paprerë ku duhen fituar beteja të përditshme.
Pas çdo shifre e statistike është një jetë njerëzore që koston e paguan e gjitha shoqëria. Nuk mund të le pa përmendur se ndëshkimi është diçka tjetër nga dhënia e drejtësisë”, tha Spiropali.
Kryetarja falënderoi gjithashtu Ambasadën e Holandës dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre në këtë proces dhe nënvizoi rëndësinë e pavarësisë dhe llogaridhënies si dy parimet kyçe për funksionimin e drejtësisë. Ajo theksoi se Kuvendi do të mbështesë pa kompromis SPAK-un dhe organet e tjera të sistemit të drejtësisë, duke garantuar burime financiare dhe legjislacionin e nevojshëm për pavarësinë e tyre.
Në përfundim, Spiropali theksoi se ndërtimi i një sistemi drejtësie me standarde europiane është misioni kryesor, i cili do të fuqizojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe do të sigurojë drejtësi të shpejtë, të drejtë dhe të paanshme për qytetarët shqiptarë. (A2 Televizion)