Socialistët nisin diskutimin për lokalet 2027, porosia e Ramës: Dua emra të pastër

Nga A2 CNN
23 Gusht 2026, 15:45 | Politikë

Partia Socialiste ka nisur diskutimet për zgjedhjet vendore të vitit 2027 në takimin dyditor të thirrur nga kryeministri Edi Rama në rezidencën qeveritare në Drilon të Pogradecit. Mbledhja, ku marrin pjesë drejtuesit politikë të qarqeve, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe anëtarë të qeverisë, është fokusuar te prioritetet politike të sezonit të ri dhe organizimin e partisë në terren.

Në një lidhje me Ditarin e Fundjavës me Denisa Pashollin, gazetari i A2 CNN Artin Halili bëri të ditur se në qendër të diskutimeve kanë qenë dy dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, që lidhen me mënyrën se si deputetët, ministrat dhe drejtuesit politikë duhet të komunikojnë me qytetarët dhe të forcojnë praninë e PS-së në komunitet.

Sipas burimeve për A2 CNN, kryeministri ka folur për zgjedhjet lokale të vitit 2027, duke kërkuar që kandidatët e ardhshëm të jenë figura me integritet dhe të lidhura ngushtë me komunitetin. Një pjesë e diskutimeve i është kushtuar edhe reformës territoriale dhe procesit të shkrirjes së 15 bashkive. Rama ka kërkuar që drejtuesit politikë të jenë ata që t’ua shpjegojnë qytetarëve ndryshimet e propozuara, duke mos e lënë debatin vetëm në media.

“Nga burimet e brendshme që kemi dhe diskutimet e bëra nga aty i gjithë e gjithë tematika ka qenë dokumenti Besa në mënyrën se si ai është arritur të kuptohet nga ana e deputetëve, por dhe ministrave dhe mënyrën se si ata do duhet t'ia shpjegojnë shumë herë dhe më mirë elektoratit dhe zonave të tyre elektorale, por edhe shqiptarëve. Gjithashtu një fokus në këtë takim është vendosur edhe tek pjesa e reformës territoriale për shkrirjen e 15 bashkive, ku po ashtu Rama ka qenë disi i ashpër dhe me drejtuesit politikë të qarqeve. Ndërkohë që një pjesë e tyre sigurisht janë dhe ministra duke kërkuar që duhet të jenë ata të cilët duhet ta shpjegojnë më së miri për komunitetet e tyre respektive këtë reformë territoriale dhe jo ajo të bëhet përmes televizioneve që në shumicën e rasteve nuk arrin të kuptohet aq sa duhet nga qytetarët. Gjithashtu është prekur lehtë edhe pjesa e zgjedhjeve lokale, dhe sigurisht që do duhet të kemi emra të cilët jenë shumë të pastër dhe shumë pranë komunitetit. Të paktën kjo ka qenë një këshillë e kryeministrit Rama në lidhje me këtë pjesë”.

Takimi pritet të vijojë edhe të hënën, kur ministrat dhe drejtuesit e institucioneve do të raportojnë për realizimin e objektivave dhe prioritetet e qeverisë për muajt në vijim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos