Beleri kërkon ende Himarën, ankimon vendimin e KQZ-së që nuk i dha mandatin e kryebashkiakut

Nga Anesti Barjamemaj
17 Korrik 2025, 18:21 | Politikë

Prej gati një viti Alfred Beleri është eurodeputet, por beteja e tij për t’u bërë kryebashkiak i Himarës duket se do të vijojë. I mbështetur nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Beleri ka ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që në korrik të vitit 2024 i ndërpreu ëndrrën për të marrë drejtimin e Bashkisë Himarë.

Sipas eurodeputetit, vendimi i KQZ-së është në kundërshtim me ligjin, pasi ai ka fituar mandatin në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, por nuk e ka ushtruar atë për asnjë ditë për shkak të arrestimit dhe më pas dënimit. Në ankim, citohet më tej se ndërprerja e mandatit nuk mund të bëhet pa respektuar procedurën ligjore dhe pa një vendimmarrje të organeve kompetente, shkruan A2 CNN.

“As KQZ dhe as Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve nuk kanë kompetencë për të ndërprerë mandatin në mungesë të një vendimi të formës së prerë nga gjykata ose një vendimmarrje nga Këshilli i Ministrave”, vijohet më tej në padi. Në thelb të kërkesës, Beleri kërkon anulimin e vendimeve përkatëse të KQZ-së dhe njohjen e mandatit të tij si kryetar i ligjshëm i Bashkisë Himarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos